Nga Afrim Imaj
Në fundin e gushtit dhe fillimin e shtatorit të vitit 1983, një video misterioze që u shpërnda pak ditë para se të zhvillohej gjyqi i Fiqirete Shehut, e përgatitur me dëshmitë e saj gjatë procesit hetimor nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, u shpërnda në të gjithë qytetet e Shqipërisë nga Jugu në Veri e cila u dëgjua me qendër zëri nëpër institucionet, ndërmarrjet e qendrat e punës të prodhimit më të rëndësishme në të gjithë të vendin. E veja e ish-kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta, pohonte me gojën e saj, tërë misterin e ngjarjes së bujshme si dhe “veprimtarinë e saj armiqësore” dhe të familjes Shehu gjithashtu.

Të gjithë ata që kishin pasur mundësinë ta njihnin nga afër, habiteshin me dëshminë e Fiqirete Shehut, bashkëshortes së Mehmet Shehut, (ish-nëtare e Komitetit Qendror të Partisë që nga prilli i vitit 1952, ish-drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë “Vladmir Iliç Lenin” në Tiranë), ndërsa pjesa më e madhe e popullit, punëtorë dhe fshatarë kudo ku ishin, e besonin verbërisht, gjithçka thuhej në atë video fantazmë, ku ajo rrëfente me bindje, komplote pas komplotesh, të ideuara nga bashkëshorti i saj dhe të tjerë, me qëllimin e vetëm për të realizuar vrasjen e udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxhën!

Pas dëshmive të saj, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isain, të cilët ishin ideatorët kryesorë të atij procesi dhe videos që iu server shqiptarëve me dëshmitë e Fiqret Shehut, mendonte se do të mbylleshin të gjitha dyshimet për vetëvrasjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Por shpejt, njerëzit do fillonin të flisnin nën zë dhe të vinin në diskutim deklaratat e saj, duke menduar se ajo po përsërite çfarë i diktonin hetuesit dhe njerëzit e Sigurimit. Ndërkohë, lindën hipotezat e para, sipas të cilave, Fiqiretja ishte e detyruar që të bënte gjithçka, me qëllim që të shpëtonte pjesën tjetër të familjes, fëmijët.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vijon nga numri i kaluar

Akt-akuza për Fiqret Shehun, Llambi Ziçishtin, Nesti Nasen dhe Llambi Peçinin

Armikja Fiqirete Shehu ka luajtur një rol aktiv për të ndërlidhur veprimet e organizatës me zbulimet e huaja, ka punuar vetë dhe ka ngarkuar pjesëtarët e organizatës, për të goditur e sabotuar vijën e partisë dhe së bashku me armiqtë, që punonin në Ministrinë e Brendshme ka qenë bashkëpunëtorja më e afërt e poli-agjentit Mehmet Shehu.

Ja se çfarë pohoi vetë ajo në seancë: “Organizata jonë në fillim ishte e vogël, më vonë me porosi të agjenturave të huaja u shtua me anëtarë të rinj. Detyra ishte të mbanim konspiracion, prandaj përdorej lidhja dyshe. Të gjithë pjesëtarët e organizatës kishin për detyrë t’i raportonin poli-agjentit Mehmet Shehu.

Po kështu, të pandehuri Llambi Ziçishti, duke qenë ministër i Shëndetësisë, i është ngarkuar si detyrë kryesore përgatitja e kushteve për eliminimin fizik të Udhëheqësit të Partisë e të Popullit dhe sabotimi i vijës së partisë në sektorin ku punonte.

Ish-ministrin e Jashtëm, Nesti Nase, Mehmet Shehu e përdorte për të gjetur rrugë për krijimin e lidhjeve me Perëndimin, sidomos me SHBA-ës, e në mënyrë indirekte edhe me Bashkimin Sovjetik. Nesti Nase ka realizuar ndërlidhjen e organizatës me emisarët e zbulimit amerikan e sovjetik.

I pandehuri Skënder Shehu, është aktivizuar e ka kryer detyra të rëndësishme në organizatën tradhtare. Ky armik, me porosi së të atit poli-agjentit Mehmet Shehu, ka qenë ndërlidhësi i organizatës me Zbulimin Amerikan dhe ka përgatitur kushtet për takimet agjenturore që ka bërë Fiqirete Shehu, me pelegrinazhet e saj jashtë shtetit, ka ndihmuar në veprimet përgatitore për eliminimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së etj.

Vendimi i gjyqit për Fiqrete Shehun
Nga zhvillimi i gjykimit rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit Fiqiret Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder Shehu, në bashkëpunim me agjenturat e huaja, kanë kryer veprime terroriste për eliminimin fizik të sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Të gjitha fitoret që ka arritur populli e Partia jonë, prestigji dhe autoriteti i madh që gëzojnë ato sot në botë, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me shokun Enver Hoxha, themeluesin e Partisë sonë, luftëtarin e orëve të para kundër fashizmit e tradhtisë, kundër imperializmit e revizionimit, marksist-leninistin e shquar, njeriun më të dashur e të shtrenjtë të Partisë e popullit shqiptar.

Prandaj, është e natyrshme që tërë planet e armiqve tanë të jashtëm e të brendshëm, kanë synuar edhe eliminimin fizik të udhëheqësit të partisë e të popullit. Për arritjen e këtij pikësynimi, poliagjenti Mehmet Shehu, ka menduar e vepruar në bashkëpunim me padronët e tij, që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.

Ai me porosi të anglezëve, gjatë Operacionit të Dimrit 1943-1944 nuk shkoi me Brigadën e Parë, në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm, që qe rrethuar nga gjermanët, me qëllim që të asgjësohej.

Por siç dihet, jashtë vullnetit të armiqve, kjo u evitua, Shtabi e çau vetë rrethimin. Për këtë çështje, djali i tradhtarit Mehmet Shehu, i dënuar Bashkim Shehu ka deponuar: “Siç më ka treguar Mehmeti, gjenerali anglez, nëpërmjet oficerit anglez, që ndodhej pranë Brigadës së Parë, kishte urdhëruar që Brigada të mos shkonte në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm, ta linte shtabin të asgjësohej.

Unë, më ka thënë Mehmet Shehu, e bisedova këtë gjë me Fiqrete Shehun dhe Tuk Jakovën dhe që të tre, ramë dakord me urdhrin e anglezëve. E vonuam disa ditë me radhë nisjen e Brigadës në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm…”!

Të njëjtat mendime ka pasur edhe shoku i ngushtë i tradhtarit Mehmet Shehu, Nako Spiro, njeriu i jugosllavëve dhe i prapaskenës së Beratit, i cili, duke e pasur fjalën për shokun Enver Hoxha, i ka thënë Naxhie Dumes në Berat: “Nëse Komandanti nuk bindet, e bind koburja”!

Siç rezultoi në hetuesi dhe në gjykim, padronët i kanë dhënë Mehmet Shehut, variante të ndryshme për të asgjësuar fizikisht Sekretarin e parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Zbatimin e kësaj vepre të poshtër, terroristi Mehmet Shehu ka dashur ta realizonte në vitin 1973, me anën e mjekëve që po kuronin shokun Enver Hoxha, të cilët, duhet t’i shkaktonin ndërlikime shëndetit të tij. Pikërisht për këtë u shpejtua nisja për në Paris…!

“Në fund të prillit të vitit 1981, tha kjo e pandehur, në Paris jam takuar me një person të zbulimit jugosllav, i cili më dha një pako me pilula helmi për t’ia dorëzuar Mehmet Shehut sa më shpejt”.

Këtë fakt, e konfirmon edhe i pandehuri Skënder Shehu, i cili ka mësuar nga e pandehura Fiqirete Shehu se, në takimin me agjentin jugosllav në Paris, jugosllavët kërkonin marrjen në dorë nga Mehmet Shehu, sa më parë të udhëheqjes së Partisë, duke likuiduar fizikisht udhëheqësin e saj, me anë të helmit, të cilin ia dhanë kësaj agjenteje në Paris.

“Ishte kjo arsyeja sqaron në hetuesi që në gjyq i pandehuri Skënder Shehu, që e bënte të domosdoshëm takimin edhe me personelin e agjenturës amerikane në Suedi, ku do të vendosej përfundimisht”.

Pasi siguruan helmin me efekt të vonuar, pjesëtarët e organizatës kundërrevolucionare, të kryesuar nga poli-agjenti Mehmet Shehu, përgatitën planin e detajuar të veprës terroriste dhe pastaj të marrjes së pushtetit, duke ndarë rolet dhe detyrat në vartësi të funksionit që kryente secili.

Të pandehurës Fiqrete Shehu, i’u ngarkua detyra që gjatë pushimeve në Vlorë, kur Sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë, të shkëmbente vizita me Mehmet Shehun, të gjente momentin më të përshtatshëm për t’i hedhur në kafe helmin me efekt të vonuar, i pandehuri Llambi Ziçishti, do të manipulonte rezultatin e analizave toksikologjike dhe të autopsisë mjeko-ligjore.

Kurse i pandehuri Nesti Nase, do të gjente literaturë për format dhe metodat e atentateve kundër personaliteteve politike, do të shmangte daljen e sekreteve të kësaj veprimtarie kriminale jashtë shtetit dhe do të ndërpriste çdo informacion që mund t’i vinte Shqipërisë, për veprimtarinë e zbulimeve të huaja kundër vendit tonë. Detyra të rëndësishme kanë pasur edhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate.

E pandehura Fiqrete Shehu, për këtë problem shpjegoi:

“…Mehmeti bisedoi menjëherë me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Peçinin dhe Mihallaq Ziçishtin e me mua…. Mehmet Shehu bisedoi edhe ….me Llambi Ziçishtin…. dhe i dha porositë…. Kadri Habiu tha që; vrasjen me helm të sheqerosur, ta bëjmë në Vlorë, kur sekretari i Parë i Komitetit Qendror, të vinte për pushime…! T’i hidhnim në kafe pilulën me helm, që prura unë nga Parisi”.

Edhe i pandehuri Llambi Ziçishti shpjegoi: “…në gusht të ‘81-it, Mehmeti më thirri dhe më tha:….Likuidimin e udhëheqësit kryesor të Partisë…do ta bëj unë. Për këtë qëllim, kam siguruar edhe mjetin, helmin me veprim të ngadalshëm, të cilin e solli Fiqretja nga jashtë….! Mehmeti më tha se, rrugë tjetër nuk ka…! Kur të dukeshin shenjat e para të helmimit, unë do të manipuloja analizat dhe më pas do të manipuloja autopsinë…! Unë duhet të ruaja edhe analizat e manipuluara edhe kopjet e vërteta, që ai (Mehmet Shehu)…do t’i përdorte për të akuzuar kundërshtarët si vrasës”.

Ndërsa i pandehuri Nesti Nase, për këtë problem shpjegoi:“Mehmet Shehu më tha….ka ardhur koha që ndryshimet të bëhen me pahir, me anë të forcës dhe për këtë problem, kam biseduar edhe me Feçorin edhe me Kadriun, të cilët janë ngarkuar, se si do të veprojnë…! Ti Nesti, duhet të mendosh për të vepruar menjëherë, për të justifikuar ndryshimet që do të bëhen në udhëheqje dhe qëndrimet që do të mbajmë”.

Siç u vu në dukje, për të dalë nga gjendja e rëndë që po kalonte Jugosllavia, më 16 e 17 dhjetor 1981, UDB-ja nëpërmjet agjentëve të saj, i transmetoi Mehmet Shehut që: “Enver Hoxha të vritej me çdo kusht me armë zjarri, edhe në mbledhje, qoftë duke u vrarë edhe ai vetë”. Terroristi Mehmet Shehu, u ndodh në rrugëkryq: nga njëra anë Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë ,i kërkonte llogari për fejesën e djalit dhe për veprimet e tjera të tij antiparti, nga ana tjetër, UDB-ja e urdhëronte për veprim.

Pas konsultës me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ashtu si dikur shoku i tij Nako Spiro, vendosi dhe vrau veten, që të shpëtonte “të kaluarën e tij të lavdishme”, gruan dhe fëmijët dhe që të mos jepte llogari para Partisë e popullit, për punët e poshtra armiqësore që kishte bërë tinëzisht, për 40 vjet rresht. Por në sajë të vigjilencës së saj, Partia i zbuloi fijet e këtij komploti dhe e shpartalloi atë.

Nga gjithë zhvillimi i hetimit dhe gjykimit, u vërtetua plotësisht se, një nga drejtimet kryesore të kësaj organizate kundërrevolucionare, të drejtuar nga tradhtari Mehmet Shehu, ka qenë sabotimi i orientimeve dhe i direktivave të Partisë dhe i gjithë veprimtarisë në fushat e ndryshme të zhvillimit të jetës në vendin tonë.

Këta armiq, kanë përmbushur detyra të posaçme për të penguar e shtrembëruar zbatimin e vijës së Partisë dhe për të sabotuar ekonominë socialiste, në sektorët që mbulonin. Kjo veprimtari sabotuese, është në lidhje të ndërsjellë e koordinuar edhe në vazhdim të sabotimeve, që kanë bërë të frymëzuar nën drejtimin e mercenarit Mehmet Shehu, grupet e tjera antiparti, tradhtare komplotuese, puçistë e sabotuese, në fusha të ndryshme të ndërtimit socialist në vendin tonë.

VENDIMI NË EMËR TË POPULLIT
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në trup gjykues nën kryesinë e: Arianit Çelës – Kryetar i Gjykatës së Lartë, me sekretarë; Ylli Mahmudaj e Sadik Memo dhe me pjesëmarrjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Rrapi Mino, prej datës 15 gjer më 29 Gusht 1983, gjykoi në shkallë të pare, në seancë gjyqësore me dyer të hapura, çështjen penale nr. 7 akti, që u përket të pandehurve:

FIQRETE SHEHU, e bija e Abedinit dhe e Hedijes, lindur në vitin 1919, në qytetin e Beratit dhe banuese në Belsh të Elbasanit, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore fshatare e pasur, me gjendje shoqërore nëpunëse ish-drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë “V.I. Lenin”, në Tiranë), me arsim të lartë, nuk mbanë tituj nderi ose dekorata, e padënuar më parë, e arrestuar më 6 Janar 1982.

LLAMBI ZIÇISHTI, i biri i Petro dhe i Juiles, lindur në vitin 1923 në Ziçisht të Korçës dhe banues në qytetin e Tiranës, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore zanatçi individual dhe me gjendje shoqërore nëpunës, ish-ministër i Shëndetësisë) i martuar, ka dy fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me arsim të lartë, nuk mbanë tituj nderi ose dekorata, i padënuar më parë, i arrestuar në datën 15 maj 1982.

NESTI NASTE, i biri i Vancit dhe Olimbisë, lindur në vitin 1922 në qytetin e Korçës dhe banues në Tiranë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me origjinë shoqërore qytetar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës ish-ministër i Punëve të Jashtme, i ve pa fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me arsim të mesëm, nuk mban tituj nderi ose dekorata, i padënuar më parë, i arrestuar më 8 janar 1982.

SKËNDER SHEHU, i biri Mehmetit dhe Fiqiretes, lindur më 1949 në qytetin e Tiranës dhe banues në Belsh të Elbasanit, me shtetësi e kombësi shqiptare, me origjinë e gjendje shoqërore nëpunës, i pa martuar, me arsim të lartë, nuk mbanë tituj nderi ose dekorata, e padënuar më parë, e arrestuar më 8 Janar 1982.

TË AKUZUAR SE:

Janë vënë në shërbim të agjenturave të huaja dhe kanë kryer detyrat e ngarkuara prej tyre;
kanë marrë pjesë në organizata kundërrevolucionare të kryesuara nga tradhtari dhe poli-agjenti Mehmet Shehu, që ka pasur për synim të godasë PPSH-së, udhëheqjen Marksiste-Leniniste dhe të përmbysë pushtetin popullor në Shqipëri;

kanë kryer veprime përgatitore terrori për eliminimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror;
kanë sabotuar vijën politike dhe ekonomike të Partisë, duke i shkaktuar shtetit 1.219.763 lekë dëm material.
kanë zhvilluar agjitacion dhe propagandë kundër shtetit, d.m.th., se kanë kryer krimet e parashikuara përkatësisht nga nenet 47 germa “g’, 57, 50 paragrafi I-rë në lidhje me nenin 11 paragrafi i parë 53 dhe 55 paragrafi i parë të Kodit Penal të RPSSH-së. /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb