TIRANË

Ish-deputeti i PD dhe ish-ministri Genc Pollo e shikon si një hap tjetër drejt degradimit të shtetit ligjor ekstradimin e shtetasit turk, mbështetës i Gylenit, kundërshtarit të Presidentit Erdogan drejt Turqisë. Në një postim në “Facebook”, Pollo shpërndan një shkrim të tijin të gushtit të vitit të kaluar për gylenistët teksa shkruan se ekstradimi i djeshëm është kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar.

Shtetasi turk Harun Çelik, 42 vjeç përfundoi dënimin në Shqipëri dhe ndërsa iu komunikua se do dërgohej në qendrën e azilkërkuesve, është marrë në mënyrë të paligjshme dhe është mbajtur disa orë në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit në Laprakë dhe më pas është dërguar në Rinas, për t’u depërtuar drejt Turqisë ku ndiqet penalisht. Pollo kujton se dy vite më parë kur ndodhi në Kosovë u shkarkua ministri i Brendshëm.

“Policia e Lleshit ditën e parë të vitit të ri (e të kryesisë së OSBE-së) e rrëmben turkun dhe e dërgon pako postale aty ku të drejtat themelore të tij nuk mund të mbrohen. Edi Rama thotë unë nuk di gjë se çfarë bën Lleshi im se më duhet të laj duart. Lleshi nuk bëzan ende. Ligjet e shtetit e konventat europiane shkelen me dy këmbë.
Kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar. Hap tjetër në drejtim të degradimit (banditizimit) të shtetit ligjor.
P. S. Kur diçka e ngjashme ndodhi para dy vitesh në Kosovë kryeministri shkarkoi brenda ditës ministrin e brendshëm”, shkruan Pollo.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb