NGA: ORNELA MANJANI
Deputetët e Komision it të Ekonomisë të të dyja kampeve i kanë kërkuar shpjegime ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja në lidhje me koncesionet në shëndetësi. Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, i ka kërkuar ministrit të Shëndetësisë që të merren masa për të informuar qytetarët në lidhje me sistemin e referimit, pasi nuk dinë ku të drejtohen, të përfshihen në skemën e kontrollit bazë personat me ndihme ekonomike dhe të monitorohen koncesionet e dhëna. Ndërkohë që opozita ngriti si shqetësim dhënien e koncesioneve jashtë sektorit të shëndetësisë. Maxhoranca i ka kërkuar kreut të shëndetësisë që të marrë masa për të bërë më transparent sistemin e referimit për qytetarët, të monitorojë kontratat koncesionare dhe të përfshijë në kontrollin bazë personat që trajtohen me ndihmë ekonomike. Opozita kërkoi transparencë në dhënien e koncesioneve, pasi sipas tyre ato po u jepen njerëzve që nuk kanë lidhje me shëndetësinë. Ministri i Shëndetësisë ka raportuar në Komisionin e Ekonomisë në lidhje me buxhetin e vitit të ardhshëm. Në vitin 2017 Ministria e Shëndetësisë do të japë me koncesion edhe shërbimet laboratorike spitalore.

DEBATET
Erjon Braçe: Shqetësimi që unë kam, ka të bëjë drejtpërdrejtë me sistemin. Ne po nxjerrim para nga buxheti i shtetit, po nxjerrim në rritje para nga buxheti i shtetit për këtë kategori njerëzish dhe duhet që sistemi të mbërrijë drejtpërdrejtë tek këta. Pra kontratat duhet të monitorohen edhe nga kjo pikëpamje, e cilësisë së produktit fundor që ka marrë qytetari i Republikës së Shqipërisë në fund fare. Dashamir Shehi: Largojuni formulës së koncesioneve jashtë njerëzve që janë të ambientit shëndetësor. Hapeni midis firmave shëndetësore ju garën, të jeni të sigurt se nuk ka për t’ju thënë askush një llaf. Ilir Beqaj: Lidhur me kontratën e ardhshme në seancën e ditës së enjte mund t’ju them se cilat janë kushtet që do t’u vëmë këtyre të tjerëve që do të vinë të marrin pjesë tek ky tender. Edhe tenderët e mëparshëm ndërkombëtarë kanë qenë “Faneshëll tajms” janë publikuar.

BUXHETI
Gjatë 2017-ës, Ministria e Shëndetësisë synon të zgjerojë fashën për kontrollin bazë si dhe investime në infrastrukturë. Sipas buxhetit prioritetet në vitin 2017, financimi publik për shëndetësinë parashikohet të jetë rreth 2,9 % e PBB-së, ndër nivelet më të larta të financimit në 25 vjet. Shpenzimet publike të shëndetësisë për banorë, do të rriten nga 12,295 lekë në 2013 në 16,000 lekë në 2017, pra rritje me 30.134 %. Në buxhet është parashikuar edhe kujdesi shëndetësor parësor kontrolli bazë për grup moshën 35 – 70 vjeç duke i dhënë këtë mundësi 1,260 mijë rezidentëve në Shqipëri. Mjeku i familjes është falas për këdo, përfshirë edhe 600 mijë persona të pasiguruar.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb