Në datën 10 janar 2015, në “Gazetën Shqiptare” u botua një artikull nga Shoqata Kombëtare
e të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” ku u përpoqëm të tërhiqnim vëmendjen tuaj për të votuar pro dekretit të presidentit për mosdekretimin e ligjit antipronar 133/2015. Por ju e hodhët poshtë dekretin e presidentit, duke e vlerësuar ligjin si kushtetues dhe në përputhje me qëndrimet e Gjykatës së Strasburgut.
Në këtë artikull theksuam se qëndrimet e Gjykatës së Strasburgut ishin krejt të tjera dhe ligji binte ndesh haptazi me këto qëndrime. Më i çuditshëm ishte qëndrimi i deputetëve që kanë votuar ligjin nr. 9235 të vitit 2004 dhe që ndryshuan plotësisht mendimet e tyre. Dikur, në 2004-ën, u betuan (votuan) për kthimin 100% të pronës dhe kompensimin 100% me çmimet e tregut, kurse sot, pas 11 vjetësh votuan të kundërtën, moskthimin e pronës dhe moskompensimin me çmimet e tregut. Siç duket karrigia e pushtetit i ka ndryshuar mendimet dhe u kthyen në mbrojtës të flaktë të shkeljes së të drejtave të njeriut, duke favorizuar haptazi korrupsionin me pronat. Ata arritën deri atje sa të mbrojnë edhe çuditë ekstreme të këtij ligji, si:
1. Nenin 3, pika 2, germa “b” të ligjit ku urdhërohet: “2. Gjithashtu ky ligj shtrin efektet, sa i takon vlerësimit financiar, për: b. çështjet që janë në shqyrtim në gjykatat e të gjitha niveleve, Gjykatën e Lartë, si dhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, sa i takon vlerësimit financiar” Urdhërohet Gjykata e Strasburgut!!!
2. Nenin 6, pika 1. Për efekt të ekzekutimit, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës do t’i nënshtrohen vlerësimit financiar nga ATP-ja, si më poshtë:
a) prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit. Humbet siguria juridike dhe zhvlerëson të gjitha vendimet e marra që kanë në përmbajtjen e tyre kompensim!!!
b) prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Pasiguria juridike dhe pabarazi midis shtetasve që kanë realizuar kthimin apo kompensimin 100% të pronës!!!
3. Nenin 7, pika 1. Të gjitha vendimet përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit dhe ato që do të merren deri në përfundim të procesit, sipas këtij ligji, do të zbatohen sipas parashikimeve të këtij ligji. Fuqia prapavepruese e ligjit!!!
2. Vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kompensim do të bëhet duke vlerësuar financiarisht pronën e njohur për kompensim, sipas nenit 6, të këtij ligji, në përputhje me procedurën e mëposhtme:
a) nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh sesa vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Humbje e të drejtave të fituara!!!
b) nëse vlerësimi i pronës që është njohur për kompensim është më i madh sesa vlerësimi i tokës së kthyer, atëherë subjektit i kompensohet diferenca, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Pasiguri juridike dhe humbje e të drejtave të fituara!!!
c) në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kthim prone, atëherë llogaritet vlerësimi financiar i pronës së njohur për kompensim, bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në momentin e shpronësimit, sipas pikës 3, të nenit 6, të këtij ligji. Megjithëse në vendime thuhet kompensim për truallin…, humbjen e të drejtave të fituara!!!
ç) në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kompensim prone, atëherë vendimi dhe dokumentacioni përkatës arkivohen sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për arkivat. Humbje e çdo të drejte mbi pronën e shpronësuar!!!
Arsyetimi i hartuesve të ligjit, por edhe i relatores dhe deputetëve që votuan pro ligjit, ishte që në emër të interesit publik, interesat e pronarëve të bëheshin mundësisht zero. A nuk është ky qëndrim i njëjtë me qëndrimin e sistemit të kaluar kur shpronësoi me dhunë e pa shpërblim pronarët? A nuk ishte ky “publik” që ushtroi dhunë kundër pronarëve për më shumë se 70 vjet?
Në fakt ligji nuk mbron interesin publik, por mbron korrupsionin politike dhe ekonomik.
– Si janë pasuruar një grup i vogël njerëzish? – Në kurriz të interesave të pronarëve dhe me pronat e pronarëve.
– Si blihen votat? – Duke premtuar legalizime falas, në tokat e pronarëve, duke ndarë tokën me ligjin 7501 me tokat e pronarëve.
– Si kërkohet të joshen investitorët e huaj? – Me toka 1 euro dhe duke shpronësuar pronarët.
– Si janë përvetësuar mijëra e mijëra hektarë tokë nga më të vlefshmet, sidomos në zonat turistike? – Me miqësi e korrupsion me qeveritarët nga 1991-shi e në vazhdim. Me dokumente të falsifikuara.
– Cili është bilanci i derisotëm i luftës kundër fituesve të pronës me dokumente të falsifikuara? – Asnjë rezultat, sepse politika është vetë nxitëse dhe përfituese nga dokumentet e falsifikuara.
– Pse janë vrarë me shumë se 8000 viktima për çështjen e pronës? – Sepse zgjidhjet janë për “interesat e publikut”. Save prej tyre u është hequr prona? – Asnjërit.
– Çfarë ka përfituar publiku nga pronat që nuk kanë marrë pronarët? – Asgjë.
– Pse nuk iu kthyen pronat pronarëve të vërtetë? Për arsye të korrupsionit politik dhe ekonomik, dhe tani përpiqen të mbrohen me gjoja interesin publik.
Këto kërkon të konsolidojë ligji i ri i pronave, dhe jo të japë zgjidhje të drejta për pronarët, dhe çdo kosto e kalon në kurriz të pronarëve, duke u përpjekur të ngrejë opinionin kundër tyre me mashtrimin e mbrojtjes së interesit publik. Të ngrejë opinionin kundër pronarëve duke i vlerësuar ata si armiq që kërkojnë të kapitullojnë këtë vend.
Por të gjitha këto nuk shkojnë, iku koha kur partia në pushtet jepte urdhra e të dënonte. Sot aleati më i madh i pronarëve nuk janë partitë politike shqiptare në pushtet apo që kanë qenë në pushtet. Ka dhjetë vjet që pronarëve u janë hapur sytë, kanë lexuar e mësuar dhe kanë gjetur aleatin e tyre, që quhet Gjykata Europiane e Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut. Zëri i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, por edhe i shoqatave të tjera që mbrojnë pronën, u ngrit fort, por ra në vesh të shurdhet nga hartuesit e ligjit, nga qeveria, por edhe nga Kuvendi. Ata nuk i lejuan të flisnin dhe të thoshin të vërtetën në prezantimin e ligjit nga kryeministri, duke e kthyer takimin në një show, për t’u dukur para opinionit dhe faktorit ndërkombëtar që ishte prezent. Pronarët u detyruan të largoheshin publikisht nga takimi, duke treguar qëndrimin e tyre kundër ligjit.
Interesat e pronarëve nuk mund të shiten e të blihen siç shiten e blihen karriget e deputetëve. Interesat e drejta, qoftë edhe të një individi, janë më të rëndësishme se interesat e gjithë shoqërisë.
Këto qëndrime ka mbajtur e do mbajë Gjykata Europiane e Lirive dhe e të Drejtave Themelore të Njeriut, e cila nuk pyeti për ndalimet që i bënte ligji shqiptar, por i gjykoi dhe do vazhdojë të gjykojë kërkesat e paraqitura.
Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e pushtetarëve. Karrigia e artë e pushtetit të bën të marrësh vendime e ligje populiste të urdhëruara nga kryetari dhe mendësia e vjetër. Kjo ka ndodhur me Hoxhën, me Berishën si ai me ligjin 7501, kur ua kaloi në pronësi tokën, dhe sot me shefin e ekzekutivit kur jep certifikata pronësie falas për grabitësit e pronave të të tjerëve dhe vazhdon të ndajë tokën me ligjin famëkeq 7501, premtimet për 1 euro etj., etj.. Por të gjithë dështuan dhe do dështojnë, sepse e drejta mund të vonojë, por nuk të harron!
E disata herë që Strasburgu dënon shtetin shqiptar me vlera të mëdha monetare. Pse? Sepse shteti ka bërë e po bën ligje kundër të drejtave të njeriut në Shqipëri, dhe së fundmi ligjin më të keq për pronarët, që e votoi në Kuvend në muajin dhjetor e janar për zhvlerësimin e pronës, të barabartë thuajse me sekuestro e rishtetëzim.
Ç’do të thotë kjo për pronarët? Kjo u jep të drejtë të gjithë pronarëve që kanë vendim për kompensim që t’i çojnë dosjet e tyre në Strasburg, kundër ligjit të ri të pronave në Shqipëri, dhe kjo gjë pa kaluar në asnjë kalvar gjyqësor, por direkt në Strasburg. Pronarët kështu mbrojnë të drejtat e tyre të shkelura me ligj nga shteti populist dhe këto mijëra dosje të vlerësuara me miliarda euro, ku do ta çojnë Shqipërinë, a e falimentojnë atë?
Kuvendi i Shqipërisë harroi se si u gënjye dy herë nga AKKP-ja kur u kërkua shtyrja e afatit të së drejtës për të marrë vendime, një herë 1 vit dhe një herë gjashtë muaj. Në të dyja rastet u premtua se do merreshin vendime, por asnjë vendim nuk u mor dhe dosjet pa vendime janë bërë kapicë në AKKP (ATM). A është ky një abuzim i drejtpërdrejtë me detyrën dhe a duhet të përgjigjet njeri për këtë zvarritje të qëllimshme?
Shoqatat që mbrojnë pronën, me anë të përfaqësuesve të tyre kanë ngritur fort zërin, por në vend që të dëgjoheshin, pushteti u është turrur me epitete, me genjeshtra e mashtrime, siç duket nga ato që është mësuar të bëjë vetë për t’u pasuruar. Dhe këtë e bën për të ngritur opinionin kundër pronarëve për të thënë, ‘shikoni çfarë pasojash kemi po t’u kthejmë pronën pronarëve’, dhe kështu përpiqet të përpunojë edhe opinionin ndërkombëtar, duke gjetur në një farë forme mbështetjen e përfaqësisë së Bankës Botërore në Shqipëri, servile e thekur e pushtetarëve.
Zotërinj deputetë, thirrini ndërgjegjes dhe kërkojini llogari hartuesve të këtij ligji bastard si dhe analizoni vendimet e Gjykatës së Strasburgut, sepse nuk janë vendime të shkruara nga pronarët, por nga gjykata e pakorruptuar ndërkombëtare. Reforma në drejtësi duhet të fillojë nga Ju, për të korrigjuar dhe hartuar kurdoherë ligje të drejta kushtetuese dhe në përputhje me të drejtat e njeriut, dhe jo të urdhëruara nga mafia dhe korrupsioni. Karrigia e artë e pushtetit ju është dhënë për këtë qëllim.
Mos e gënjeni publikun, sepse në fund të fundit dikush duhet të paguajë, por jo publiku; përgjegjësinë e keni ju, politikanët që drejtuan Shqipërinë këta 26 vjet, që vazhdojnë të ngrohin karriget e çmuara të pushtetit.
Ky është sistemi kapitalist, që pronën private e ka shenjtëruar, dhe sa më shume të mbrohet ajo, aq më e suksesshme do jetë e gjithë shoqëria, dhe kur cenohet prona private, sistemi dhe shoqëria dështojnë. Këtë na ka mësuar historia, por këta parlamentarë, që votuan ligjin antipronar 133/2015, bëjnë sikur nuk e dinë.
Shoqata Kombëtare e të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” ka qenë dhe është për dialog, për të gjetur zgjidhje sa më të drejta e pa kosto për publikun, por ligji i miratuar duhet sa më shpejt të hidhet në koshin e plehrave, si ligj antidemokratik dhe në kundërshtim të hapur me të drejtat e njeriut. Urat e bashkëpunimit nga ana jonë kanë ekzistuar dhe ekzistojnë, por është qëndrimi i deritanishëm i qeverise dhe i hartuesve të ligjit që këto ura i ka ndërprerë.
Urojmë të keni guximin ta shikoni të vërtetën në sy, të studioni vendimin-pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, vendimet e datës 10 nëntor 2015 dhe 17 mars 2016, që të vlerësoni çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Mos u ktheni në Kuvend robotësh që ngrenë dhe ulin kartonin sipas dëshirës së dirigjentit!
PER SHOQATEN KOMBETARE TE
TE SHPRONESUARVE “PRONESI ME DREJTESI”
K R Y E S I A

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: