Kreu i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu ka dalë sot para mediave për të prezantuar projektrezolutën e iniciuar së bashku me deputetë të tjerë të opozitës për situatën në Ballkan dhe Kosovën.

Mediu tha se kjo projektrezolutë që kërkon marrjen e hapave konkretë nga Shqipëria dhe adresimin e problematikës në NATO do të konsultohet me të gjithë deputetët dhe forcat e tjera politike për të dalë me një qëndrim.

“Me kolegun Bujar Leskaj, Isuf Çelaj, por dhe shumë të tjerë kemi menduar që të paraqesim në Kuvendin e Shqipërisë një projekt rezolutë, të cilën do ta diskutojmë me të gjithë përfaqësuesit e partive politike në mënyrë që të arrijmë në një rezolutë të plotë, të përfaqësojmë qëndrimin e parlamentit dhe të forcave tona politike, për të njehsuar një qëndrim mbarëshqiptar në raport me zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit. Është një situatë shqetësuese që duhet të na bëjë të jemi të gjithë në një zë, në një qëndrim, në një frymë bashkëpunimi dhe konsultimi dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Mediu.

Ai tha se deputetët duhet të luajnë rolin e tyre në diplomaci.
“Unë mendoj që tryeza më e mirë e forcave politike padyshim është Kuvendi i Shqipërisë, ku janë përfaqësuar të gjitha forcat parlamentare dhe vullneti i shqiptarëve. Në këtë pikëpamje, unë mendoj që rruga më e mirë për të proceduar dhe sa më shpejt të jetë e mundur është një rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë, ku përfshihet maxhoranca dhe opozita dhe jam tërësisht i hapur për vlerësime, ndryshime, por në thelb synojmë që ne të kemi një qëndrim të përbashkët në raport me këtë çështje. Kam dëgjuar dhe vlerësime të ndryshme rreth situatës, që nuk jemi në prag lufte, dhe unë shpresoj dhe besoj që nuk jemi në prag lufte, por Shqipëria si një vend tërësisht i interesuar për këto zhvillime duhet të marrë hapa parandalues në raport me këtë çështje. Duke qenë një vend anëtar i NATO-s, kemi detyrën e parë për ta shtruar në NATO, duke qenë një Kuvend i cili në Asambletë Parlamentare prezantohet me vullnet të të dyja palëve pozitë dhe opozitë, ne duhet të kryejmë rolin tonë si deputetë në diplomacinë parlamentare, për më tepër besoj që është shumë e rëndësishme se për sa kohe jemi pjesë e forumeve ndërparlamentare nga më të ndryshme, duhet të ketë një iniciativë ndërparlamentare dhe mes forcave politike në rajon, për të bërë më të mirën për interesin kombëtar”, u shpreh Mediu.

Ai vijoi se kjo projekt rezolutë do i dorëzohet sot kryetares së Kuvendit. Shpresoj që do gjejmë mirëkuptimin e të gjitha forcave politike parlamentare duke parë edhe vullnetin e shprehur në Kuvendin e Shqipërisë nga përfaqësuesit e forcave politike gjatë seancës së kaluar”, tha ai.

PROJEKTREZOLUTA
Duke ndjekur me vëmendje të veçantë rritjen e tensioneve ndëretnike në rajonin tonë, tensione me rrezikshmëri të lartë për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjëve të vet, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi;

Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga Parlamenti Europian, Kongresi Amerikan, Parlamenti Britanik, nga disa qeveri të vendeve europiane dhe shumë analistë seriozë në Europë e në SHBA, shqetësim i mbështetur sidomos në përpjekjet e fundit të Republika Srbska, për t’u shkëputur nga BiH, gjë që po çon, sipas vlerësimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së në BiH, Christian Schmidt, në shembjen e marrëveshjes së paqes, nënshkruar në Dejton në vitin 1995, me ndërmjetësimin e SHBA;

Duke i parë të ndërlidhura narrativat destabilizuese të Presidentit Vucic dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit serb, me ndërhyrjet e hapura për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me tentativat e Republika Srbska për të krijuar ushtrinë e saj, jashtë kontrollit kushtetues të Sarajevës, deklarimet për shkëputje nga BiH, situatën e paqëndrueshme politike në Maqedoninë e Veriut, si dhe me dislokimin e kohëve të fundit të ushtrisë serbe në kufi me Republikën e Kosovës, gjë që e shtyu Kryeministrin Kurti të paralajmëronte se rajoni po shkonte drejt një konflikti të armatosur;

Duke parë gjithashtu se kjo tablo shqetësuese është e ndërlidhur ngushtë me intensifikimin e shumëfishtë të pranisë Ruse në rajonin tonë, në zbatim të deklaratës së Presidentit Putin, se “Ballkani është një back yard i Rusisë”, gjë që në realitet po kryhet përmes mbështetjes ndaj Serisë, për ta shndërruar atë në fuqi dominuese në Ballkanin Perëndimor, si rrugë për ta rritur presionin mbi Uashingtonin dhe Brukselin;

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi:
1. Të ngarkojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë në këshillim me partnerët tanë strategjikë dhe ta adresojë urgjentisht këtë problematikë në NATO.

2. Nëpërmjet delegacioneve të veta në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ta shpërndajë këtë rezolutë në këto asamble dhe ta bëjë atë objekt debati atje, si dhe forumet e tjera ndërparlamentare.

3. I kërkon qeverisë, si anëtare e përkohshme për dy vitet e ardhshme e Këshillit të Sigurimit të OKB, të përcaktojë qartësisht objektivat për rajonin dhe Kosovën.

4. Të shtohet mbështetja për Integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, duke shpjeguar me theks të ri, se lënia e këtij shteti të ri jashtë, e ekspozon atë dhe rajonin me lehtësi përballë kërcënimeve ruso-serbe.

5. Të organizojë një forum ndërparlamentar Shqipëri – Mali i Zi – Kosovë – Maqedoni e Veriut, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb