TIRANE-Deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë lirimin e pesë protestuesve, që u prangosën sot, nën akuzën e shkatërrimit të pronës publike. Një grup deputetësh të PD-së u grumbulluan në mbrëmje në hyrje të Komisariatit Nr.1, ku mbahen protestuesit, duke kërkuar lirimin e tyre. Deputetët Flamur Noka, Aldo Bumçi, Kastriot Islami, Arben Ristani, Florion Mima dhe Jorida Tabaku kanë debatuar edhe me shefin e komisariatit.

Sipas deputetëve demokratë, arrestimi i protestuesve është i paligjshëm.
“Arrestimet janë shenjë e arrogancës së qeverisë. Ndaj protestuesve është ushtruar dhunë fizike. Kjo sjellje do të ndeshet me reagimin tonë. Partia Demokratike do të mbrojë me çdo mjet protestuesit.”- deklaroi deputeti Ristani.

Ndërkohë, deputeti Flamur Noka i ka bërë thirrje policisë të ndalë dhunën ndaj protestuesve. Sipas Nokës, protestuesit janë dhunuar në Komisariatin e Kamzës.

“Eshtë dhunuar Andi Puka dhe një qytetar tjetër. Falangat e krimit në polici të ndalin dhunën. Nëse nuk ndalet dhuna do të përballen me ne. Dhuna është ushtruar në komisariatin e Kamzës. Ministri i brendshëm është një falangë e krimit.”- deklaroi Noka.

Protestuesi Arben Hajdari pretendon se është dhunuar nga shefi i krimeve të Kamzës. Hajdari kërkon prova nga policia për akuzat e ngritura ndaj tij, pasi thekson se ka protestuar paqësisht në shesh.arben hajdari

POLICIA ARRESTON 5 PROTESTUES
Policia e Tiranës ka nisur sot procedim penal ndaj atyre që i quan organizatorë të protestës antiqeveritare të opozitës më 8 dhjetor. Mësohet se do të procedohet sekretari organizativ i PD-së, Enno Bozdo, mbi të cilin rëndon akuza e organizimit të manifestimit të paligjshëm, po ashtu edhe Kreu i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni për thirrje publike për veprime të dhunshme, si edhe shtetasi I. V. i cili akuzohet për mosbindje të urdhrit të policisë.

Sot policia ka arrestuar 5 persona për akuzën e shkatërrimit të pronës, mosbindje ndaj policisë dhe për prishje të rendit publik.

– Aurel Filaji, 23 vjeç banues në Tiranë
– Suzana Dimushi, 37 vjeç , banues në Tiranë
– Xhulian Calai, 23 vjeç, banues në Durrës
– Arben Hajdari, 43 vjeç , banues në Tiranë
– Andi Kuka, 22 vjeç , banues në Tiranë.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Mosbindje ndaj urdhrit të policisë rendit publik”, “Prishje e qetësisë publike“, shtetasit e mëposhtëm:
– F. L, 44 vjeç , banues në Tiranë, i dënuar më parë.
– G. Gj, 27 vjeç , banues në Tiranë.

“Nga ana e Prokurorisë dhe Policisë është bërë kqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i provave materiale, sekuestrimi i pamjeve filmike dhe vazhdon puna hetimore për dokumentimin e plotë dhe vënien para drejtësisë të gjithë personave të përfshirë në këtë ngjarje”,- sqaron më tej policia.

Ndërkohë dje Bashkia e Tiranës i ka dërguar një faturë gjobash Partisë Demokratike, prej 163 milionë lekësh, që sipas Bashkisë janë dëme nga protesta e djeshme e opozitës.

Bashkia i ka lënë 7 ditë kohë PD-së për të shlyer faturën pa kamatëvonesë. E në rast se fatura nuk shlyhet për 30 ditë, do të bllokohen llogaritë bankare të PD-së.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb