TIRANE – Impulse e reja duket se nuk do të ndalen. Pas lëvizjes në Ministrinë e Drejtësisë, LSI-sti Spartak Braho flet për ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar, i cili brenda dhjetorit pritet të jetë i rifreskuar.

“Këto janë impulse jo vetëm për ato që ka thënë kryetari Meta, por edhe për ato që ka thënë edhe kryeministri Rama. Burri luan, guri s’luan. Shpresojmë edhe për ndryshime të tjera. Gradualisht brenda këtij viti besoj se do ketë edhe përmirësime të tjera.”-deklaroi Braho për “News24”.

Që impulset nuk do të ndalen, konfirmohet edhe nga të majtët.
“Impulset janë gjithmonë në lëvizje, kështu që do të ketë gjithmonë impulse.”-deklaroi deputeti socialist Alfred peza.

Në vitin e dytë të qeverisjes Rama-Meta, lëvizja e parë erdhi në Minsitritë e drejtuara nga LSI. Për demokratin Astrit Patozi me këtë lëvizje, tashmë është e qartë se kush është në krye të ekzekutivit. Ndryshe mendon socialisti Bashkim Fino, i cili pozicionin kundër ndryshimeve në qeveri e ka shprehur me kohë.

“Dje ishte një provë e faktit që ne kemi një qeveri të rrëzuar dhe dje nuk është ndërruar Ministri i Drejtësisë, por në fakt është ndërruar kryeministri. prej dje kemi kryeministër kryetarin e kuvendit Ilir Meta. ”- deklaroi Patozi.

“Nuk mendoj se kryetari i kuvendit dhe kryetari i LSI-së imponon kryeministrin. ata janë dy partnerë që kanë një kontratë të përbashkët në këtë 4-vjeçar dhe në shumë 4-vjecarë të tjerë të përbashkët.”-deklaroi Bashkim Fino.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: