TIRANE – Kryeministri, Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, pas takimit të së shtunës, janë takuar sërish paraditen e djeshme, jo njëherë por dy herë brenda pak orësh. Fillimisht ishte kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim që shkoi në zyrën e kreut të qeverisë dhe vetëm pak minuta pasi Meta la kryeministrinë, ishte Rama që hyri në Kryesinë e Kuvendit për të takuar aleatin e tij.

Kamerat e televizioneve e fiksuan shefin e ekzekutivit teksa dilte nga zyra e Metës, të tensionuar në fytyrë duke shkëmbyer mesazhe në celularin e tij dhe të pashoqëruar nga asnjë zyrtar tjetër të qeverisë apo Partisë Socialiste. Të aleatët rezervuan të sqaronin median pas këtyre takimeve për temën e bashkëbisedimit por mësohet nga burime pranë tyre se pakënaqësitë e lindura brenda koalicionit qeverisës dhe situata e tensionuar politike në vend të kenë qenë në qendër të takimeve. Bashkëbisedimi i dytë mes Ramës e Metës në kryesinë e Kuvendit zgjati rreth 1 orë, dhe të njëjtat burime pohojnë për “Gazeta Shqiptare” se është zhvilluar nën klimën e tensionuar të deklaratave të fundit publike të kreut të LSI-së për nevojën e impulseve të reja në qeveri.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha në mbledhjen e kryesisë së LSI-së së tri ditëve më parë se qeverisë i duhen këto impulse të reja për të ecur më shpejt me reformat. Po në të njëjtën ditë, kryeministri, Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u shpreh kategorik kundër ndryshimeve në qeveri.

Ndërkohë që pas takimit të djeshëm, të njëjtat burime thonë për “GSH” se dy liderët kryesorë të mazhorancës kanë rënë dakort që ndryshimet në qeveri të shtyhen pasi të jenë miratuar dy reforma të rëndësishme si ajo në drejtësi dhe dekriminalizimi. Por burimet saktësojnë se ky vendim duhet marrë me rezervë.

DEPUTETËT E PS
Ndërkaq pas takimit Rama-Meta deputetë të Partisë Socialiste kanë mbështetur qëndrimet e kryetarit të tyre. Të pyetur nëse duhet të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, ata thanë dje se përgjigjen për këtë pyetje e ka ezauruar vetë kryeministri, Edi Rama. Në një prononcim për median, ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, interesit të gazetarëve nëse e mbështese apo jo idenë e rifreskimit të kabinetit ekzekutiv u përgjigj se “unë dhe askush përveç kryeministrit nuk mund të ketë gjykim për këtë pikë për sa kohë e ka ai këtë të drejtë”.

Ndërkohë mjaft kategorik kundër ndryshimeve në qeveri u shpreh deputeti socialist, Bashkim Fino. “Absolutisht nuk jam dakord për ndryshime në qeveri. Qeveria po punon jashtëzakonisht në funksion të përmbushjes së programit të vet dhe të reformave që i ka nisur dhe po vazhdon t’i bëjë në mënyrë të suksesshme. Për mua kjo qeveri duhet të vazhdojë me legjitimitet punën e saj. Unë kur them nuk duhet të ketë ndryshime në qeveri nuk e ndaj LSI-në dhe PS-në. Për mua të gjithë ministrat e kabinetit Rama, qofshin ministra të PS-së, qofshin ministra të LSI-së, punojnë jashtëzakonisht shumë mirë dhe unë personalisht jam shumë i kënaqur”, – tha Fino.

Ndërsa kolegu i tij i PS-së, Ulsi Manja, pyetjes nëse ekzekutivi ka apo jo nevojë për impulse të reja siç kërkon LSIja, tha se “e keni marrë përgjigjen para dy-tri ditësh nga kryeministri i vendit. Kryeministri ka tagrin dhe përgjegjësinë për ndryshime në qeveri”. Ndërkaq deputetë të LSI-së më herët e kanë mbështetur publikisht qëndrimin e Ilir Metës sipas të cilit nëse dikush mendon se qeveria nuk ka nevojë për impulse të reja atëhere ky mendim është shqetësues.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: