Ish-presidenti dhe kryeministri Sali Berisha, u shpreh se ndryshimet kushtetuese nuk duhet bërë, pasi nga çdo marrëveshje mes PD dhe PS, fituese ka dalë gjithmonë kjo e fundit.

Nga Kavaja, ku po mban foltoren e radhës, Berisha tha se do të bëj protesta masive për të larguar nga pushteti kryeministrin Edi Rama, si dhe për të rikthyer PD në vlerat dhe principet që meriton, duke theksuar se do të jetë në garë për të marrë kryesimin e partisë.

“Kthimet kanë qenë suksese të mëdha. Foltorja ka qëllimin madhor që askush të mos vendosë për ju, por të vendosni ju për veten tuaj, Kavajën dhe Shqipërinë. Ne do të rikthejmë votën në PD, ne do të rikthejmë primaren, do të zgjidhni ju me votën tuaj kandidatin për deputet për Kavajën. Do të zgjidhni ju. Sot kemi dhe guximin dhe dijet.

Foltorja jonë synon që askush të mos guxojë më të shkelë statutin, sepse nëse nuk respektojmë statutin nuk respektojmë Kushtetutën e vendit. Nëse ai shkel statutin, ai e shkarkon statutin automatikisht. Basha ka vendosur të qëndrojë në opozitë si zjarrfikës. Datën e 19 shkurtit të vitit ’91, nga ky qytet kanë ardhur në këmbë 1.500 burra te Qyteti i Studentit. Nuk na mashtron ne njeri. Edi Rama ke rrëmbyer votat e këtyre burra e grave, do të japësh llogari për çdo votë.

Ne do të vijojmë protestat që do të përfundojnë deri në rrëzimin tënd përfundimtar. Me Edi Ramën që kontrollon votën zgjedhje në Shqipëri nuk mund të ketë, ndaj dhe ne, do i japim vendin e merituar këtij armiku të shqiptarëve. Ish-kryetari në një tentativë të fshehtë, po konkretizon marrëveshjen e turpit me Edi Ramën. Së pari, në cilën marrëveshje të këtyre 8 viteve përfituam ne demokratët? Që te të gjitha përfitoi vetëm Edi Rama. Pavarësisht nga këto, ky për të mbuluar dramën e tij, vepron te marrëveshja. Ata i janë vërsulur Kushtetutës si çakej. I bëj thirrje deputetëve të PD, të refuzojnë çdo marrëveshje me Edi Ramën sepse përgjegjësia do të jetë shumë e madhe. Edi Rama është i pabesë, njësoj si pengu që ka marrë. Nuk njohin marrëveshje. Ata të cilët mbështesin Lulzim Bashën, a mund të mbështetet një njeri i cili ka regjistruar 4 humbje njëra pas tjetrës? Të vendosësh besimin te një i pa besë nuk është mençuri. Jo. I pa besi, nuk ndërton kurrë marrëdhënie njerëzore.

Nëse deri me datën 25 prill i besonin rreth 19% e zgjedhësve, sot i besojnë rreth 5%. Nuk i besohet pengut që ka 2 muaj ditë e natë, që të gjitha mediat e vajtojnë dhe e marrin në mbrojtje. Është i pa shpresë. Ftoj cdo delegate të Kavajës, të firmosë për mbledhjen e Kuvendit, ndryshimet statutore. Të firmosë për të kthyer referendumin si pjesë e vendimmarrjes tuaj. Të firmosë të hapet një garë, që garantoj që cdo njeri që mund të futet në atë garë do të ketë një garë të lirë, njëri prej tyre do të jetë dhe Sali Berisha. Beteja është nisur në rrethana të pa zakonta, por prapë se prapë, besoja se demokratët janë atdhetarë, e duan Kavajën dhe vendin e tyre.

Besoja se janë njerëz të idealeve dhe ato ideale bënë rrëzimin e diktaturës. E mbyll këtë fjalë, duke iu drejtuar Edi Ramës, erdhe në pushtet me thirrjen që bashkohuni kundër Sali Berishës. Do të vijmë në pushtet me thirrjen që njerëz të ndershëm të bashkohemi për të kthyer Shqipërinë në vlerat e saj. Rroftë Kavaja, rroftë Shqipëria”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: