TIRANË- Deputeti Mark Frroku refuzon të japë deklarime para prokurorëve shqiptarë në lidhje me dosjen penale të mbërritur ndaj tij nga Belgjika për akuzën e vrasjes së një shqiptari në vitin 1999. Prokurorët e çështjes nga organi qendror i akuzës kanë shkuar dje në qelinë ku mbahet Mark Frroku dhe kanë kërkuar t’i marrin atij deklarime në lidhje me ngjarjen dhe me akuzën e ngritur ndaj tij.

Burime nga organi i akuzës kanë thënë se deputeti Mark Frroku u ka thënë dje hetuesve se “nuk dëshiron të flasë para Prokurorisë shqiptare në lidhje me këtë ngjarje”, shkruan “Panorama”. Sipas burimeve nga seanca hetimore në burg, Mark Frroku është shprehur se për ngjarjen e ndodhur në Belgjikë, do të flasë vetëm para gjykatave apo prokurorisë së këtij vendi. Kjo duket një manovër e Frrokut për të kërkuar ekstradim në Belgjikë në një kohë kur Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me këtë vend.

Mark Frroku u arrestua në fund të marsit 2015 me akuzën e vrasjes pasi njoftimi i Interpolit belg mbërriti në Prokurorinë e Përgjithshme më 27 mars 2015. Sipas dosjes që erdhi më pas në Shqipëri, deputeti shqiptar i shpallur në kërkim nga Belgjika që nga dhjetori 2014, akuzohet për ngjarjen e ndodhur më datë 05.03.1999, ku viktima Aleksandër Kurti, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga katër persona autorë, mes të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint – Gilles, Bruksel.

Sipas drejtësisë belge, autor i kësaj ngjarjeje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Frroku Dritan, i njohur si Piro Sfrani (SOFRANI). Në dosjen belge të ardhur në Shqipëri në rrugë zyrtare, thuhet se sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë ndaj shqiptarit. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S. kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes. Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. Për ngjarjen ishin akuzuar katër persona, mes të cilëve edhe Mark Frroku që pas dënimit me 10 vjet burg, vendimi ishte anuluar dhe çështja ishte kthyer në rigjykim.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: