TIRANE- Deputeti gjerman Mark Hauptman, i cili ndodhet në Tiranë, shpreh mbështetjen për hapjen e negociatave për Shqipërinë për anëtarësimin në BE. Pas një takimi me deputetin socialist Taulant Balla, deputeti gjerman tha se Shqipëria ka bërë progres.

Gjatë një konference të përbashkët për mediat, Hauptman tha se brenda Bashkimit Europian ka patur debate sa i takon zgjerimit, por theksoi se hapja e negociatave është një hap i parë, për të vijuar me përmbushjen e detyrimeve.

“Shqipëria ka bërë progres, dhe tani duhet të vijojë me rrugën e reformave. Brenda BE ka patur debate për zgjerimin. Por mendoj se duhet të hapen negociatat me Shqipërinë. Unë mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimin europian”, u shpreh deputeti gjerman Mark Hauptman.
balla
Deklaratat e deputetit të Bundestagut gjerman erdhën pas takimit kokë më kokë që pati me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Ky i fundit, vuri në pah marrëdhënien shumë të mirë mes dy vendeve në tre dekada.

“Janë më shumë se 1 miliard euro të investuara nga Gjermania në Shqipëri. Biseda që zhvilluam me Hauptmann ka të bëjë me zgjerimin e bashkëpunimit edhe në diplomacinë parlamentare dhe e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania dhe qeveria federale dhe parlamenti gjerman i jep Shqipërisë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por dhe në të ardhmen tonë evropiane”, u shpreh Balla.

Gjatë kësaj jave pritet të zbarkojnë në Tiranë edhe të tjerë deputetë gjermanë në kuadër vendimit final që do të marrë Gjermania për Shqipërinë në fund të muajit të ardhshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb