Deputeti i Bundestagut, Thorsten Frei pret që zgjedhjet në Shqipëri të kalojnë më mirë se zgjedhjet e fundit. Për qeverinë Rama ai bën një bilanc të përzier. Për Kosovën ai sheh formim të vështirë të qeverisë.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”,Freu thotë marrëveshja e arritur më 18 maj me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve është me rëndësi për vendin.

Thorsten Frei është Deputet i Bundestagut Gjerman, i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë, dhe Nënkryetar i CDU-së për Landin Baden-Vyrttemberg. Ai është edhe anëtar i Grupit të Punës “Ballkan” në Bundestag. Në prill 2017 Thorsten Frei u dërgua nga Bundestagu Gjerman në Shqipëri, për ndërmjetësim midis PD dhe PS.

Siç e dini, të dielën në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhje parlamentare. Zgjedhjet zhvillohen pas një polarizimi ekstrem për muaj me radhë të situatës dhe një bojkotim i Parlamentit nga ana e opozitës. Nga këndvështrimi i një deputeti të Bundestagut Gjerman, i cili në fokus të punës ka edhe Shqipërinë, si e vlerësoni gjendjen aktuale para zgjedhjeve në Shqipëri?
Sipas vlerësimit tim, por edhe sipas vlerësimit të OSBE-së, ekziston mundësia që zgjedhjet parlamentare të së dielës të kalojnë në përgjithësi më të lira dhe më korrekte se zgjedhjet e fundit në vitin 2013. Me rëndësi thelbësore këtu ishte marrëveshja e arritur me presionin e PD dhe me ndërmjetësim të komunitetit ndërkombëtar, në 18 maj midis Bashës dhe Ramës, përkatësisht midis PD dhe PS. Veç kësaj, jam i bindur se edhe njerëzit, për shkak të historisë së tyre me bojkotin disamujor i shikojnë zgjedhjet më të sensibilizuar dhe e kanë parasysh rëndësinë e tyre për të ardhmen e Shqipërisë. Por parë në tërësi, edhe këto zgjedhje ende nuk do të jenë në përputhje me standardet e zakonshme të BE, edhe kjo është pjesë e së vërtetës. Por të paktën u arrit që të pengohet një bojkotim i zgjedhjeve nga Partia Demokratike, që do të kishte qenë skenari më i keq për vendin.

Shqipëri: bilanc i përzier i qeverisë Rama
Cili është bilanci që bëni politikisht dhe ekonomikisht pas katër vjet qeveri Rama?
E parë në mënyrë objektive duhet të bësh një bilanc të përzier. Sukses i madh ishte sigurisht dhënia e statusit si kandidat i Bashkimit Evropian, megjithëse parakushtet për këtë nuk u krijuan vetëm pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste në vitin 2013. Së fundi, raporti i fundit i progresit i Komisionit të Bashkimit Evropian ka treguar, se në pesë prioritetet kyçe duhet të kishte pasur përparime më substanciale, përpara se të nisin negociatat për anëtarësimin.

Rëndësi shumë qendrore ka sigurisht lufta kundër kriminaliteti të organizuar, veçanërisht kundër kultivimit të drogës, si dhe luftimi i korrupsionit dhe dekriminalizimi. Këtu Partia Socialiste nën Ramën kanë bërë shumë pak. Në mënyrë të ngjashme ambivalente janë rezultatet në fushën e ekonomisë dhe të financave. Shqipëria vërtet ka bërë një hop të madh përpara në Doing-Business-Report të Bankës Botërore dhe i ka reduktuar borxhet. Por Shqipëria vazhdon të mbetet njëri nga vendet më të varfra të Evropës. Kuota e papunësisë me gati 20% është shumë e lartë dhe rritja është e ulët, për ta kompensuar prapambetjen me vendet e rajonit dhe për t’u ofruar njerëzve perspektiva të mjaftueshme.

Në Shqipëri kemi një situatë pak të pazakontë: pak para zgjedhjeve, opozita u bë pjesë e qeverisë. Si i shihni shanset për një koalicion të madh partiak në Shqipëri, përkatësisht a e shihni këtë si opsion të dëshirueshëm, për ta shtensionuar në vazhdim gjendjen?
Të dëshirueshme, koalicionet e mëdha partiake, siç i kemi edhe në Gjermani, nuk janë kurrë. Por duke pasur parasysh nevojat e mëdha shoqërore dhe politike – pavarësisht nga rruga e mëtejshme për në BE – një opcion i tillë nuk do të ishte zgjidhja më e keqe për vendet e rajonit. Megjithatë, do të nevojitej një bashkëpunim transparent dhe në mirëbesim, në dobi të vendit dhe të qytetarëve të tij. Por le të presim njëherë zgjedhjet.

Cilat duhet të jenë prioritete të domosdoshme të qeverisë së ardhshme pas zgjedhjeve, në mënyrë që të nisin negociatat e anëtarësimit me BE?
Nevojiten përparime në prioritetet kyçe dhe gatishmëri e të gjitha partive për ta çuar përpara në mënyrë pozitive vendin. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me reformën në drejtësi dhe me procesin e Vettingut. Te ky i fundit, pas dakordimit të 18 majit ekzistojnë të paktën përparime të lehta, pasi Kuvendi konfirmoi Komisionet me personat, që do të bëjnë verifikimin e gjykatësve dhe të prokurorëve. Ky proces nuk duhet të harrohet në asnjë mënyrë pas zgjedhjeve.

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën: Udhëheqësit na sigurojnë se nuk e kanë seriozisht
Si kryeministri Rama, ashtu edhe kryeministri i Kosovës, Thaçi folën pak kohë më parë për mundësinë e ribashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës, nëse nuk ecën aq shpejt sa pritet integrimi në BE. Si i shpjegoni këto deklarata? A i merrni seriozisht dhe a ju mbeten në kujtesë si deputet gjerman?
Unë shoh para së gjithash motive të politikës së brendshme, po të bëhen me të vërtetë deklarata të tilla. Por natyrisht që është jashtëzakonisht e rrezikshme që të luash për shkaqe të politikës së brendshme me zjarrin etnik. Prandaj nuk kam asnjë mirëkuptim për deklarata të tilla. Përballë nesh, përfaqësuesit e Partisë Socialiste (të Shqipërisë) dhe të Partisë Demokratike të Kosovës shprehen gjithmonë në mënyrë shumë të qartë se mendime të tilla nuk luajnë asnjë rol. Unë as e besoj që shumica e njerëzve në vendet e prekura mund të entuziazmohen për lojëra të tilla mendimesh. Sepse që sot situata është shumë e pasigurtë dhe jo e qendrueshme. Njerëzit duan përparim ekonomik. Me siguri që në një rast të tillë do të pritej e kundërta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb