Deputeti i opozitës, Halit Valteri në interpelancën e thirrur për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj i kërkoi llogari këtij të fundit në lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku. Valteri pohoi se kishte takuar babain e viktimës, i cili me lot në sy i kishte kërkuar që të shihej çështja në fjalë, që autorët të shkonin para drejtësisë.

“Në këtë sallë ka shumë deputetë që s’e duan vendin. Sot pyesin se ku është Shqipëria. Ajo nuk është më. Ka humbur. Askush nuk e do më atë. Janë vërsulur mbi të si zogu përbindësh që i hante zemrën si Prometeut. Politika gjeneron llum e lidhje me krimin. Pa bashkëpunimin e policisë, këta sherifet e rrugëve nuk rrinë jashtë, por në biruca. Sot dalim dhe themi; krimi nuk ka ekzistuar në këtë vend. Çdo ditë ka një vrasje, një rrëmbim, çdo ditë kanoset dikush. Këtu dëgjojmë pallavra. Shqiptarët kanë pasur një dyshim të vogël, ata janë ulur këmbëkryq përballë një flake. Askush nuk mund të bëjë të paditurin dhe të befasojë dhe të bëjë të paditurin. Ai krimineli në këtë vend është ekskluzivitet i qeverisë. Çfarë ndodh në këtë vend me krimin, është e lidhur me Rilindjen. E dini rastin e Lezhës, ku përveç një zonje të nderuar, i hoqi të tjerët. Malet e Lezhës lulëzojnë, dhe kjo është e lidhur me krimin dhe politikën. Lidhja me krimin është e vetmja përgjigje që japim. Krimi frikëson, por nuk ju mjafton as Roshi dhe as bandat e Damian nga veriu në jug. Po le të futemi në temë. Ju kujtoj atentatit që iu bë prokurorit Arjan Ndoja, dhe unë këtu jam për lotët e atij babait që erdhi me takoi e kërkon nga ju zbardhjen e vrasjes. A keni pasur informacione ju për këtë ngjarje, që do të kishte një përplasje mes bandave në Durrës. Vënia para drejtësisë së autorit, do të qetësonte babain e tij.”, tha deputeti i opozitës.

Duke u ndalur tek atentati në fjalë, Valteri publikoi dhe disa pamje të kamerave të sigurisë marrë nga disa biznese, ku duket edhe autori pa kapele. Sipas deputetit opozitar, policia e prokuroria nuk i ka dhe nuk ka bërë as mundimin t’i sigurojë e hetojë.

“Ky me kapele gjendet, ky pa kapele nuk gjendet, nuk e gjeni sot se e keni karamelen në fyt, ju dhe ata që ju kanë sjellë këtu, pengohet zbardhja e ngjarjes. Nëse do keni vullnet për ta zbuluar bëjeni dhe jepini qetësinë atyre prindërve, nuk doni ta zbuloni se keni hall se pas tyre fshihen ata që ju komandojnë juve. Me vjen keq tua them, po më mirë jepni dorëheqjen sa mos të turpëroheni më. Se fole për shifrat e drogës, dhe kanë kapur më pak, kur të fillojë korrja nuk do dini ku të futni kokën, e ke të përfshirë të 12 drejtorët, po jua fshehin se ndoshta nuk keni marrë asnjë lekë, më dukesh burrë i mirë për tu përfshirë me këta maskarenjtë, po të përdornin, po bëjnë gjëra pas kurrizit, po fshehin vrasjen”- tha Valteri.

Ndërkohë, Lleshaj i është përgjigjur kritikave të Valterit, ndërsa mohoi faktin se në vend ka kriminalitet të lartë. Ai tha se janë bërë supozime ‘galopante’ për shumë çështje.

“Jemi para një interpelance urgjence, ku kërkuesit për arsye urgjente nuk janë të pranishëm. Do thoja që në fillim të herës e kam lexuar si përherë me respekt tekstin e kërkesës tuaj të nderuar deputetë. Kërkesa juaj bazohet në supozimet tuaja, flisni për rritje galoponte të prodhimit të drogës, të kriminalitetit dhe shumë gjera të tjera që i keni shoqëruar rregullisht me fjalën ‘galopante’. Për të përdorur këtë terminologji, keni bërë supozime ‘galopante’ në drejtim të së pavërtetës. Fjalimi juaj ishte gati patetik, me ato frazat; ka shumë deputetë që s’e duan Shqipërinë. Ju paraqisni një situatë që nuk ekziston. Shtrembërimi i situatës është i dëmshëm për këdo që e do këtë vend.”, tha Lleshaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: