SHKODER- Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka bërë apel për lirimin e 11 qytetarëve kuksianë të arrestuar pas protestës për Rrugën e Kombit. Nga Shkodra, ku dhjetëra familjarë, deputetë të opozitës, dhe qytetarë të zonave përreth, janë mbledhur para Gjykatës së Apelit në Shkodër, ku pritet të jepet vendimi për ta, Spahia tha se kjo farsë duhet të marrë fund.

Duke u shprehur se protestuesit kuksianë janë të pafajshëm, deputeti demokrat tha se do të përshkallëzohen protestat, jo vetëm deri në lirimin e tyre, por deri në rrëzimin e qeverisë Rama.

“Vazhdon farsa qeveritare për këta qytetarë të pafajshëm që protestuan për të drejtat tyre. Qytetarët e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë do të dinë t’i thonë mjaft kësaj qeverie banditeskte që drejton vendin. Shkodra ka ditur t’i thotë mjaft metodave policeske sa herë kanë tentuar shtetet diktatoriale t’i tregojë metoda të tilla qytetarëve të vet. Deri tani në seancë kanë vijuar procedurat normale. Ata qytetarë sot duhet të dalin të lirë, se nuk kanë bërë asnjë faj.

Përkundrazi kanë treguar një nivel të lartë qytetarie, duke kërkuar të drejtat e tyre, duke protestuar në momentin kur u tentua t’i futej dera në xhep. Ata zgjodhën një mënyrë qytetare për t’u përballur me reprezaljen e policisë. Ne jemi të vendosur në mbështetjen e tyre. Nuk do të ndalojnë protestat, deri në lirimin e tyre. Madje do të vijojnë në të gjithë vendin deri në largimin e kësaj qeverie”, u shpreh deputeti demokrat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb