ELBASAN – Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boci, i është bashkuar nxënësve në Mengël të Elbasanit, të cilët prej një jave nuk bëjnë mësim në shkollën e tyre.

Ata kanë bojkotuar procesin mësimor duke kërkuar rikthim në shkollën që tani më rezulton të jetë në gjendje të mirë.

Për këtë Boci bën fajtore ministrinë, që sipas tij me arrogancën dhe stafin e papërgjegjshëm kanë sjellë këtë situatë absurde.

“Megjithatë sot fëmijët i kanë dhënë flakurinën e parë të hidhur turinjve, kësaj papërgjegjshmërie e prepotence,” shkruan Boci.

Statusi i plote

DUAM SHKOLLËN!!!
Kjo është thirrja që nxënësit në Mengël të Elbasanit, i kanë drejtuar sot Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Elbasan.
Prej një jave ata janë në protestë bashkë me prindërit dhe kanë bojkotuar procesin mësimor, duke kërkuar rikthim në shkollën e tyre, e cila rezulton të jetë në gjendje të mirë për zhvillimin e mësimit.
Një javë është goxha shumë, që Ministrja e cila fle mbi paaftësinë e saj lapidare, t’i jepte një përgjigje këtyre fëmijëve.
Por papërgjegjshmëria dhe arroganca e kësaj Ministrie s’ka të dytë.
Në vend që të angazhojë prej tre muajsh stafin “bazhibozuk” për të bërë padira qesharake, ajo duhet t’i kishte dhënë zgjidhje situatës absurde me nxënësit e Mengëlit që dërgohen si “sardele” në Elbasan për të bërë mësim me turne.
Megjithatë sot fëmijët i kanë dhënë flakurinën e parë të hidhur turinjve, kësaj papërgjegjshmërie e prepotence.
Kanë hyrë vetë në shkollë duke hapur derën.
Janë ulur në bangat e tyre e kanë kërkuar fillimin e mësimit.
Thirrjet e tyre “Duam shkollën” dhe protesta e tyre kuotimplotë janë paralajmërimet e fortunës që po vjen.
Këmbanat po oshëtijnë…

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb