TIRANË- Deputeti i PD-së, Halim Kosova ka deklaruar në seancën e sotme plenare se në treg ka barna të falsifikuara dhe i ka kërkuar qeverisë të verifikojë këto dyshime. Deklaratat e tij kanë sjellë reagimin e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili tha se çdo akuzë mund të çohet në prokurori. Ish-ministri i Shëndetësisë, Kosova, tha se është e nevojshme që kuvendi të ndërmarrë veprimet e duhura dhe për ilaçet që pretendohet se janë false, të ndiqen procedurat nga instancat e duhura. Akuzave të deputetit të PD-së, i është përgjigjur edhe Zv.Kryeministri Niko Peleshi, i cili tha se “Kosova iu bashkua skenarit të ish-kryeministrit Berisha”.

Halim Kosova: Është nevoja për veprimet e duhura në shëndetësi. Zoti Ministër po bën akuza të përsëritura. Për ilaçet që pretendohen false, instancat të ndjekin çështjen.

Ilir Beqaj: Do përballemi në prokurori. Lidhur me çmimet e barnave, kjo është Shqipëria dhe këtu jetojmë. Të njëjtat barna në Shqipëri në vitin 2015 krahasuar me vitet e kaluara është sot 30% më i lirë. Po ta përsëris, nuk mund të këtë dosje me 800 faqe që mund të lexohet në 48 orë. Shqiptarëve barnat e 2013 do t’i kushtojnë më pak sivjet. Më vjen mirë që mbledh dokumente Z. Kosova. Do provohet që jeni shpifës i rëndomtë

Niko Peleshi: Më surprizoi z. Kosova me fjalorin e përdorur. Akoma më e rëndë kjo situatë kur mendon se ju .z Kosova ju bashkuat mesazhit dhe skenarit të ish-kryeministrit, i cili në vend që të zbuste tonet pas këtyre ngjarjeve, i shtoi kësaj situate edhe një pasiguri tjetër, duke ju thënë qytetarëve se ju nuk mbroheni. Sot i shtoi pasigurinë familjarëve dhe fëmijëve se ilaçet janë të skaduara. Nuk e prisja nga ju zoti Kosova. Këto ngjarje na treguan se kryeministri ja ka besuar njeriut të duhur detyrën e Ministrit të brendshëm. Qëndrimi ndaj sulmit terrorist ndaj Ministrit të Brendshëm, shumë i ulët, qoftë edhe për një forcë politike që qëndrimet e ulëta i ka kthyer në një strategji politike. Kemi mbetur pa fjalë nga ky qëndrim kriminal. Një sulm terrorist për ju është veçse sebepi i radhës për ta përdorur si strategji politike. Dëshira për të marrë pushtetin nuk mund të justifikojë qëndrimin e opozitës. Keni zgjedhur rrugën e shpifjeve. Keni kaluar çdo limit, keni kaluar vijën e kuqe ku ndahen interesat politike nga interesat kombëtare. Këto sulme, një sfidë që krimi i bën shtetit, një shtet që nuk është as i juaji as i joni, por i gjithë shqiptarëve.

Halim Kosova: Çdo deputet që thotë mendimet e veta këtu në parlament janë të regjistruara. Unë po e përsëris edhe njëherë, verifikimi sa më shpejt i dyshimeve se në treg ka barna të falsifikuara është detyrë e qeverisë dhe obligim ndaj atyre familjarëve që kanë humbur të afërmit. Verifikimi i cilësisë së ilaçeve është shumë i domosdoshëm. Hapat që janë bërë pas 23 qershorit janë të tmerrshme. Mund të jem i vetmi si Ministër i Shëndetësisë që kam denoncuar çfarë abuzimesh kam gjetur. Ta dini edhe ju se fjala ime, veprimi im do të jetë si qytetar dhe mjek në radhë të parë, pastaj si deputet.

BERISHA: ALTUZANI ME BURIM TURK ESHTE FALSO, POR DENONCIMIN PER ILAÇET E MBYLLI “HEROI” TROCI

Edhe ish-Kryeministri Berisha ka deklaruar sot në Kuvend se Altuzani që vjen nga Turqia dhe që përdoret në spitalet publike në Shqipëri, është i falsifikuar. Gjatë fjalës së tij pasdite në Kuvend, Berisha ka kërkuar që Qeveria të rikthejë praktikën e mëparshme të importit të medikamenteve, që sipas tij, nuk kishte vjedhje. Nga ana tjetër, ai ka denoncuar një importues ilaçes, që sipas tij e shet atë disa herë më shtrenjtë sesa e blen.

“Përsa i përket Altuzanit, që është me burim turk, – tha Berisha, – ai është i falsifikuar dhe ka një hetim ndaj këtij furnitori në Turqi. Kompani të tjera iu kanë dërguar letra kundër kësaj praktike. Kërkoj që kjo praktikë ka marrë fund e të kthehemi tek ajo praktikë ku s’kishte vjedhje.

“Në lidhje me akuzën që është bërë në prokurori për Zhani Levanin, ai bashkë me të shoqen kanë sjellë në Shqipëri nga Jordania një ilaç shumë të rëndësishëm për fëmijët. Nuk e di a qëndron bari në princip, po ilaçin në Doganë e kanë deklaruar se e kanë blerë 2.9 euro. I takon të shitet deri në 5 euro, por ky ilaç është shitur me 29 euro!!! 7 herë më shumë se çmimi. Për një abuzim prej 300 mijë eurosh, e kanë dërguar në Prokurori. Por prokurori i partisë Troci, e ka mbyllur dosjen. Heroi i partisë Prokuror Troci që lëshon urdhra arreste për të njëjtën çështje për Shpëtim Gjikën në emër të partisë, për Fullanin në emër të partisë. Kur vjen puna për ilaçin ai është një kriminel për shoqërinë, por është një hero për partinë”, – tha ai.

(m.k/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb