Ish-deputeti demokrat, dhe ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, tha në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24, se pjesëmarrja masive në protestën e opozitës erdhi nga Tirana.

Sipas tij, edhe nga rrethet erdhën shumë qytetarë, por e gjithë ajo pjesëmarrje ishte për faktin se doli e gjithë Tirana. Duke folur për protestën e sotme të opozitës, ish-deputeti Bumçi la të kuptuar që ky ishte vetëm fillimi dhe se tubimet do të vazhdojnë.

“Bulevardi nuk të lejon të gënjesh. Kur Rama ka thirrur protestë, protestuesit nuk e kalonin urën e Lanës. Ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe i gjithë bashkive të mëdha rreth e qark, Elbasan, Durrës, etj. Me këto burime njerëzore, ai s’e kalonte dot urën e Lanës. Ne jemi të Galeria e Arteve, afër Ministrisë së Brendshme. Kjo është e rëndësishme, që shoqëria shqiptare besoi te opozita. Nuk është një protestë që mbyllet këtu. Protestat që janë mbajtur në 2019 filluan në shkurt dhe përfunduan me zgjedhjet lokale, pra ishte një periudhë kur ishin shkolla e universitete hapur. Ndërsa sot kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, por këtë pjesëmarrje e sjell vetëm Tirana. Kur pjesëmarrja është shumë e mirë, do të thotë që ka dalë gjithë Tirana, pasi ne nuk kemi mjete të transportit masiv. Nga rrethet ardhja ishte e madhe, por Tirana ka dalë masivisht. Po të marrim parasysh që studentët nuk ishin, për disa plazhi ka filluar, pjesëmarrja ishte shpresëdhënëse dhe sot Shqipëria dhe opozita janë bashkë, në një udhëtim që nuk ka përfunduar”, tha ish-ministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: