TIRANË- Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka sulmuar sot prokurorin Gentian Osmani dhe ka akuzuar prokurorinë se vepron me telekomandën e pushtetit duke fabrikuar prova.

Bylykbashi thotë se prokurori Osmani ka refuzuar të hetojë bandën e Elbasanit, ndërsa jashtë kompetencave të tij si prokuror i Krimeve të Rënda heton për kallëzim të rremë që nuk është krim i rëndë.

STATUSI I BYLYKBASHIT
Prokuroria e Krimeve të Rënda paska thënë sot se nuk ka kompetencë të hetojë krimin e rëndë të një prej bandave më të rrezikshme të Elbasanit, e cila në shtator të vitit 2017, pothuaj vrau punonjës policie në një ngjarje të ndodhur në hyrje të Tregut Ushqimor të Elbasanit. Policia e fshehu atë ngjarje derisa u denoncua publikisht nga Kryetari i PD Lulzim Basha.

Prokurori Gentian Osmani, me anë të një shkrese zyrtare të drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka njoftuar se nuk ka kompetencë për të hetuar këtë bandë.

Por ama, nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda është e gjitha e angazhuar për të shpëtuar të dënuarin për trafik droge Agron “Geron” Xhafa dhe trafikantë e kriminelë të lidhur me qeverisjen e Edi Ramës përmes hetimit të “provave” për kallëzim të rremë të fabrikuara në zyrën e Fatmir Xhafës.

I njëjti prokuror që shpall sot moskompetencë për hetimin e krimeve të rënda të bandave të Elbasanit, keqpërdor Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të hetuar, tërësisht jashtë kompetencës së Krimeve të Rënda, kallëzimin që ka bërë narkotrafikanti Agron Xhafaj për “kallëzim të rremë” që nuk është krim i rëndë.‎ Ky është produkti i reformës Rama-Xhafaj, një prokurori që vepron me telekomandën e pushtetit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb