TIRANE- I pari për aksionin qytetar në Partinë Demokratike dhe deputeti Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Fol me mua, fol me ata” të gazetarit Enkel Demi në TVSH tha se Basha sakrifikoi duke qëndruar në krye të Partisë Demokratike pas humbjes. Ai deklaroi se PD humbi zgjedhjet sepse u blenë votat megjithatë nuk përjashtoi edhe gabimet e PD.

Ndërsa ngrirjen e funksioneve të Bashës në krye të PD, Salianji e cilësoi si marrje të përgjegjësive nga kryedemokratit.

Salianji deklaroi se Partia Socialiste i ka vjedhur votat për të ardhur në pushtet. Ndërsa shtoi se mbështetës të PD janë kërcënuar që të mos votojnë të djathtën.

Ai gjithashtu tha se PD i ka denoncuar këto raste të vjedhjeve që janë kryer para datës së zgjdhjeve dhe jo gjatë votimit.

“Fushata ka qenë e decentralizuar secili nga ne kemi bërë denoncime gjatë ditës së zgjedhjeve. Kemi denoncuar me emër e mbiemër ata që kanë blerë votat. Ne e kemi denoncuar dhe kemi faktuar vjedhjet. Mënyra si vidheshin votat në 2001 nuk është e njëjtë. Atëherë vidhej në Qendra Votimi, aty dhe ku numëroheshin. Votat tani nuk vidhen më në komision dhe gjatë numërimit. Tani u merren kartat e identitetit. Janë kërcënuar dhe dhunuar mbështetës të PD, kemi bërë denoncime në polici. Ne kemi pasur info për vjedhjen e kartave të identitetit ndaj kërkuam votim e numërim elektronik. Rama ka kërcënuar prandaj fitoi”, deklaroi Salianji.

Ai theksoi se Rama s’iu përmbajt marrëveshjes, ndërsa vuri theksin tek roli i ministrave teknikë në denoncimin e vjedhjes së votave.

“Ne patëm ministrat teknikë, por jo drejtorët. Ata bënë ç’është e mundur që votat të mos vidheshin. Njëra nga palët në marrëveshje shpërdoroi besimin. Rama s’iu përmbajt marrëveshjes”, u shpreh ai.

Ditët e qëndrimit në çadër, Salianji i cilësoi si sukses duke thënë se u rrit ndërgjegjësimi i publikut për rrezikun e vjedhjes së zgjedhjeve. Sa i përket të ardhmes së Partisë Demokratike, ai tha se kjo forcë ka nevojë për ripërtëritje dhe duhet të ketë një sjellje të re ndaj elektoratit, ndërsa përjashtoi mundësinë e një bashkëpunimi të mëtejshëm PD-PS.

“Ne do ta rrëzojmë Ramën me protestë, me çadrën rrëzuam gjysmën e qeverisë”, nënvizoi Salianji duke u shprehur besimplotë për rikthimin e fitores së PD.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: