TIRANE – Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, foli për protestën e opozitës më 27 janar dhe marrëdhëniet mes PD e LSI në këtë lëvizje opozitare ndaj kryeministrit Edi Rama.

Salianji tha se kjo protestë, është një mjet i opozitës për të ngritur shoqërinë ndaj shkeljeve e degradimit të qeverisë Rama, shkruan BalkanWeb.

Ndërsa për marrëdhëniet me LSI-në, deputeti demokrat tha se ky është një bashkëpunim ashtu si me të gjitha partitë aleate, ndaj çështjeve që PD i ka ngritur me kohë, për kanabizimin e krimin në vend.

Protesta e opozitës

Salianji: Është instrument në sektorin opozitar. Ajo që na bën bashkë, është përpjekja për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarit. Protesta është mjet i opozitës për të tronditur shoqërinë, për të treguar shkeljet e degradimin e kësaj qeverisesje. Gjithçka që na shfaqi Rama në fushatën e 2013-s si një njeri perëndimor, sot gjithçka ka shkuar keq e më keq. Gjithë pushteti është në duart e familjes së Ramës. Shtetin e kontrollon familja e tij. Edhe federatën e futbollit po e tenton, pasi ndërtoi një kullë, tani po përpiqet të privatizojë dhe futbollin. Ai po e çon Shqipërinë në një haxhiqamil të shekullit të ri.

Është e vërtetë që shoqëria shqiptare është e mpirë, se kur dëgjon për bëmat e korrupsionit apo për skandalet e ministrit të Brendshëm, apo dhe tani që biznesi i vogël i paguan tvsh oligarkëve të qeverisë, nëse je student i shkëqlyer, ty nuk të vlen diploma. Kjo shoqëri e ndërtuar sot promovon të fortin. Paratë shkojnë për koncesione. Më datë 27 duhet të ngrihemi. Shpresa vjen me retorikë e të folur, por vjen dhe me votë sic u votua Reforma në Drejtësi. Por këtë e rrëzon Rama kur vendos të bëhet Kryeprokuror.

Ne kemi propozuar për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore. Kemi kërkuar shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi ka 40 vjet në politikë, po pse nuk kemi ne njerëz të rinj, për t’i provuar në qeverisje. Ne duhet të përcaktojmë rregulla loje, jo të iki ky e të vijmë ne. Por kërkojmë qeveri antimafia, dhe besoj se do e arrijmë falë presionit popullor. Duhet të kthehet ligjshmëria, se atentati që iu bë Kushtetutës, me vendosjen e Ramës kryeprokur, e ka bërë këtë vend pa ligje. Interesi i mazhorancës nuk ka qenë Reforma e Drejtësisë, por kapja e drejtësisë.

Marrëdhënia PD – LSI

Salianji: Është një bashkëpunim si me gjithë të tjerët. LSI i është ngjitur PD-së për çështje që i kemi ngritur me kohë, si kanabizimi e kapja e drejtësisë. LSI ka përfaqësim jo të vogël në parlament. Ne kemi bërë mbledhje të përbashkët edhe me LSI-në, si me partitë aleate. Kur të kemi kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme do të jemi në një situatë ndryshe.

 

 (e.f/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: