Deputeti I PDIU-së anëtar i grupit parlamentar Drejtësi dhe Integrim, Nustret Avdulla mbajti sot një fjalë në Kuvend mbi ditën Ndërkombëtare të hyrjes në fuqi të Konventës për dënimin dhe parandalimin e krimit të Gjenocidit.

Në fjalën e tij ai tha se sot është dita t’ju kujtoj se Çamëria dhe Kosova u sakrifikuan në vitin e mbrapshtë 1913, pikërisht që të jemi sot deputetë në këtë parlament.

“As Greqia e as Serbia, nuk kanë kërkuar një ndjesë publike për gjenocidet e shkaktuara në konteksin e kohës, e Ne nuk duhet të harrojmë e as më pak të heshtim. Ka një Rezolutë të këtij Parlamenti për Çështjen Çame, heqjen e Ligjit të luftës, që Greqia akoma dhe sot mban në fuqi me Shqipërinë, ligj i turpshëm dhe absurd dhe Ne heshtim sikur s’ka të bëjë me ne, por me hënën.

Rezoluta mbi shqiptarët e Çamërisë është e detyrueshme për çdo qeveri”.

Fjala e plotë:

“E nderuar zonja Kryetare,
Të nderuar deputetë!
Sot është hera e parë, që po flas në këtë aulë të nderuar të parlamentit shqiptar.
Si deputet i Qarkut të Fierit kam shumë për të thënë për shumë probleme që ka ky Qark .
Mund të flisja për problemet e fermerëve për sektorin e Naftës e keqmenaxhimin e kësaj pasurie kombëtare në 30 vjet.
Për naftëtarët e Ballshit dhe uzinën e tyre që po shkon për skrap, e po i bashkohem thënies që: “Po notojmë në naftë e po jetojmë në varfëri”.
Mund të flisja për lumin Gjanica, për investimin e madh të kryer aty, por që ndotja e era e rëndë e kanë zbehur atë.
Por përkatësia ime dhe harresa juaj më obligojnë mua si deputet dhe si Çam, t’ju kujtoj të gjithëve se sot është data 9 dhjetor, Dita Ndërkombëtare e hyrjes në fuqi të Konventës për dënimin dhe parandalimin e krimit të Gjenocidit.
Konventa mbi dënimet e gjenocidit e vitit 1948, sanksionoi se: Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen në kohë por ato kërkojnë drejtësi.

Sot është dita t`ju kujtoj të nderuar kolegë se ky Parlament me ligjin nr: 7839 datë 30.06. 1994, për shpalljen e datës 27 Qershor në kalendarin kombëtar si “Dita e Gjenocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”, e ka njohur këtë gjenocid.

Unë si anëtar i shqiptarëve të Çamërisë jam rritur me historitë familjare për masakrat, krimet, e spastrimin etnik të jetuar dhe nga familjarët e mi.

Janë pikërisht këto rrëfenja, e ky gjenocid, që me bën mua të përfshihem në politikë me PDIU-në, jo për tu bërë politikan, por për të ngritur zërin për këtë padrejtësi të madhe historike, për t’ju drejtuar çdo kolegu këtu në parlament, se ka shumë gjëra që na ndajnë. por që, Kombin, Atdheun, Çamërinë, Kosovën, e kemi bashkë dhe e kemi detyrim.

Ne s’duhet të heshti të nderuar kolegë sepse heshtja është të pranosh padrejtësinë dhe gjenocidin. Asgjë e mbarë nuk vjen nga padrejtësia dhe heshtja.

Po kështu sot është dita të kujtojmë edhe viktimat e gjenocidit serb në Kosovë dhe ta dënojmë atë.

Po kështu sot është dita t’ju kujtoj se Çamëria dhe Kosova u sakrifikuan në vitin e mbrapshtë 1913, pikërisht që të jemi sot deputetë në këtë parlament.

As Greqia e as Serbia, nuk kanë kërkuar një ndjesë publike për gjenocidet e shkaktuara në konteksin e kohës, e Ne nuk duhet të harrojmë e as më pak të heshtim.

Heshtëm për Çamërinë e po heshtim dhe për Kosovën, ndërkohë që Greqia e Serbia me propagandën e tyre kanë përmbysur të vërteta të mëdha.

Sot në Kosovë po flitet për krimet e UCK-së dhe jo për spastrimin etnik, vrasjet, zhdukjet, e krimet e Serbisë.

Të njëjtën gjë ka bërë dhe Greqia në vite. Ka fshehur masakrat, vrasjet, spastrimin etnik dhe na është kthyer nga të akuzuar në viktima.

Të nderuar kolegë,

Kjo ka ardhur thjesht nga heshtja jonë e pa shembull.

Çamëria është krenaria jonë e ne s’mund të heshtim më.

Ka një Rezolutë të këtij Parlamenti për Çështjen Çame, heqjen e Ligjit të luftës, që Greqia akoma dhe sot mban në fuqi me Shqipërinë, ligj i turpshëm dhe absurd dhe Ne heshtim sikur s’ka të bëjë me ne, por me hënën.

Rezoluta mbi shqiptarët e Çamërisë është e detyrueshme për çdo qeveri.

Pashë me keqardhje që në programin e qeverisë ajo nuk ishte më pjesë e këtij programi.

Jetësimi i kësaj Rezolute kërkon çdo përpjekje të Qeverisë Shqiptare për përfshirjen e saj në agjendën zyrtare dhe në Bruksel.

Nuk është e largët koha kur Qeveria Shqiptare e prezantoi në Bruksel dhe tek Komisioneri i Zgjerimit Han, Çështjen Çame.

Më duhet t’ju kujtoj të nderur deputetë se nesër është 10 Dhjetori, dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

Është detyra jonë si deputetë që të apelojmë për shkeljet sistematike të të Drejtave të Njeriut për shqiptarët e Çamërisë.

Sot e kësaj dite pleqtë çamë, ata që kanë mbetur gjallë ndalohen në kufi, sepse e kanë vendlindjen Çamëri, aty ku kanë lindur, për të mos folur për çështjet pronësore.

Gjithmonë shteti grek ka përdorur me ne duart e forta, por nevoja për drejtësi është një arsye më e fortë.

Dinjiteti, drejtesia, reciprociteti dhe mos heshtja më për Çështjen Çame është në nderin tonë si deputet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb