TIRANE

Pas deklaratave Presidencë-Kryeministri që prodhoi kërkesa për dekretimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm, pjesë e reagimeve është bërë edhe deputeti i PS-së Pjerin Ndreu. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Ndreu pohoi se grada fitohet, ndërsa shtoi se askush nuk ka të drejtë që të cënojë atë. Po ashtu ai theksoi se edhe vet Lleshi nuk mund të kërkojë heqjen e gradës së tij, ndërsa shtoi se kërkesa për c’dekretim duhet të jetë tekë e presidentit Meta.

“Grada eshte personale dhe fitohet. Njeriu vdes me graden qe ka. Askush nuk ka te drejte te cenoje graden qe dikush e ka marre me merite. Nese ushtron funksionim per shkak te grades, atehere jemi ne kushtet e ndalimit sipas Kushtetutes. Por Gjeneral Lleshaj nuk ushtron asnje funksion qe ne vitin 2003. Kerkesa per c’dekretim grade mund te jete nje teke qe i duhet plotesu presidentit por kurrsesi arsye per ti hape rruge emerimit ne detyren e ministrit ! Graden Gjenerali e ka fituar ne baze te meritave dhe ska te drejte askush t’ja heqe e aq me pak te kerkoje vete Lleshaj ti hiqet. Ku eshte nje precedent i cili duhet ndaluar!”, shkruan Ndreu.

Ditën e sotme presidenti bëri publike listën me 14 pyetje që i ka drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes për çështjen që lidhet me dekretimin e Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm, deklaratë që u pasua nga një reagim i kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit shkruante se: “Duke qenë se Presidenti ka publikuar shkresën me pyetjen e tij të ndarë në plot 14 pyetje, ja edhe shkresa ime lidhur me pyetjen e Tij. Kjo ka bashkëlidhur një kërkesë të gjeneral Sandër Lleshit për Presidentin, e cila shteron fare këtë vorbull të panevojshme. lexim të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social.

Ndërkohë, sot reagoi dhe vet Lleshi, i cili i dërgoi një letër presidentit, ku shkruante se hiqte dorë nga vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të gjitha pasojave që burojnë prej tij, duke i kërkuar Metës të njohë vendimin e Presidentit të asokohe, Bujar Nishani, për lirimin e tij nga detyra.

Në letrën drejtuar Kreut te Shtetit, Lleshi shkruante se prej 28 vitesh ka ushtruar detyra të ndryshme si ushtarak aktiv, ndërsa prej vitit 2013 është nxjerrë në lirim me anë të një dekreti nr. 8189, datë 21.5.2013.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb