Në banesën e 22- vjeçarit Gjergj Gjoni, që u vra në Milano, rreth një muaj më parë, ka pllakosur zija. Dy prindërit e të riut, që jetojnë në varfëri e pa asnjë të ardhur në fshatin Gojan të Pukës, bëjnë apel për zbardhjen e krimit që mori jetën e djalit të tyre.

Deri dje ata i kishin humbur shpresat, pasi nuk kishin mundësi të merrnin avokat që ta ndiqte çështjen e tyre në Itali. Por deputeti Eduart Ndocaj ka vendosur ta ndihmojë këtë familje dhe të paguajë ai një avokat në Itali, me qëllim që kjo ngjarje të zbardhet. Dje në banesën e tyre, veç deputetit, ishte edhe avokati, të cilët i premtuan dy prindërve të 22-vjeçarit, Maries dhe Markut, se do të bëjnë ç’është e mundur për ta ndjekur ligjërisht këtë çështje. Mark Gjoni u shpreh se i biri nuk ishte kriminel dhe se kishte shkuar për bukën e gojës në Itali.

Z. Gjoni, kur ishte larguar djali juaj, Gjergji, për në Itali?
Është larguar që në vitin 2012. U largua me pasaportë të rregullt dhe pasi i kaloi afati 3­mujor, ai qëndroi në Itali.

Si e mësuat lajmin e vrasjes së djalit?
Një natë, para se të ndodhte ngjarja, unë kam folur në telefon me Gjergjin. Më tha se kishte qenë në punë si çdo ditë. Të nesërmen disa të afërm të mi më thanë se ka qëlluar policia me armë Gjergjin dhe se ai ka mbetur i plagosur. Më pas u lidha me telefon me të afërm që kam në Itali dhe më thanë se e kanë vrarë.

Ju keni akuzuar edhe mediat italiane. Për çfarë bëhet fjalë?
Krahas dhimbjes që unë kam për humbjen e djalit, mediat italiane më kanë shokuar edhe më shumë me lajmet që kanë dhënë. Unë nuk kam dhënë asnjë intervistë për ta, ndërkohë që më kanë cituar me mendjen e tyre. Kësaj çështjeje do t’i shkoj deri në fund, do t’i hedh në gjyq për shpifje në emrin tim dhe të familjes sime. Unë nuk di as gjuhë italiane që të komunikoj me ta.

Djali juaj është akuzuar se ka bërë vjedhje, grabitje…
Nuk është e vërtetë. Janë të gjitha trillime dhe gënjeshtra. Unë e kam rritur me shumë halle dhe ai kishte shkuar në Itali për të punuar për bukën e gojës, pasi jemi në varfëri dhe s’kemi asnjë të ardhur. Më duket absurde që krimineli, i cili ka vrarë djalin tim, nuk është i arrestuar, por madje është quajtur hero. Kjo na ka shtuar edhe më tepër dhimbjen.

Ju ka kontaktuar njeri më parë për t’ju ndihmuar për zbardhjen e ngjarjes?
I vetmi që na ka qëndruar pranë dhe është vënë në lëvizje me shpenzimet e tij personale është deputeti Eduart Ndocaj. Ai ka sjellë avokatin e tij nga Italia dhe po merret me këtë çështje, dhe për këtë dua ta falënderoj shumë. Ambasada jonë në Itali nuk ka marrë asnjë hap, edhe pse e kemi vënë në dijeni për këtë ngjarje. Ne jemi shumë të indinjuar.

A keni besim se tani që keni një avokat, mund të zbardhet e vërteta e vrasjes së djalit tuaj?
Unë nuk i kam humbur shpresat, pasi në shtëpinë time erdhi avokati që ka sjellë Ndocaj që nga Italia. Ai do të merret me këtë çështje. Kam besim te drejtësia dhe e vërteta e kësaj ngjarjeje, dhe për këtë u bëj apel shtetit italian e atij shqiptar që të na ndihmojnë për zbardhjen e së vërtetës.

(Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb