Nga KLODIANA LALA* TIRANË- “Thuaji kryetarit tënd, të mos e përmendë më emrin tim. Nuk do t’i ketë mirë punët me mua. T’i bëjë mirë llogaritë!”. Voltana Ademi, deputete e Partisë Demokratike, duket se ka shtangur, kur një person, të cilin e identifikon si Emiljano Shullazi, që mundi t’i mbijetojë një atentati në afërsi të mbikalimit të Qafë Kasharit, i është drejtuar me këtë kërcënim në adresë, sipas saj të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Ba-sha. E gjithë ngjarja është zhvilluar në një ambient publik dhe, pa asnjë mëdyshje, deputetja demokrate e ka denoncuar rastin në Prokurorinë për Krime të Rënda. Zyrtarisht, nga institucioni qendror i akuzës konfirmohet fakti, se në protokollin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është depozituar një kallëzim penal nga deputetja Voltana Ademi, e cila pretendon se ka marrë kërcënime për Lulzim Bashën. Burime të besuara të “GSH” thanë se ligjvënësja demokrate, referon faktin se personi që i është afruar në një ambient publik dhe ka bërë kërcënimin, identifikohej
prej saj si Emiljano Shullazi. Ky i fundit është një emër i njohur për policinë e drejtësinë, madje i shumëpërfolur ditët e fundit, për shkak se mundi t’i shpëtonte për “fije të perit” një atentati në fshatin Bërxull, në periferi të Tiranës, teksa po kthehej nga Fushë-Kruja në drejtim të Tiranës. Zyrtarët e prokurorisë konfirmuan gjithashtu se materiali i është referuar Policisë së Tiranës, për të kryer verifikimet përkatëse.

DELEGIMI NË POLICI

Kallëzimi i bërë nga ish-prefektja e Qarkut të Shkodrës, Ademi, pasi është shqyrtuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, është vendosur t’i delegohet policisë për hetime të mëtejshme. Sipas prokurorisë, hetimi do të kryhet sipas nenit 109/b të Kodit Penal, konkretisht ku thuhet: “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për të kryer ose mos kryer një veprim të caktuar, për të fituar padrejtësisht pasuri ose çdo lloj përfitimi tjetër, për vete ose për të tretë, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në tre milionë lekë”. Kallëzimi i deputetes ka vënë në lëvizje drejtuesit më të lartë të institucioneve. Pasditen e djeshme, kryeprokurori Adriatik Llalla ka pritur në dy takime të veçanta, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi dhe mandej atë të Tiranës, Ardian Çipa. Ndonëse nuk u dhanë detaje mbi takimet,burime të besuara thanë se mes prokurorit të Përgjithshëm dhe dy drejtuesve të lartë të Policisë, çështja kryesore e diskutuar është pikërisht kallëzimi i bërë për kërcënimin e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb