I kryqëzonte këmbët si Sharon Stone në “Basic Instinct” për të shpërqendruar kryeministrin Boris Johnson gjatë fjalimeve të tij në Parlament nga momenti që “e di se nuk mund të konkurrojë me formacionin e Oksfordit të BoJo” në nivele të tjera. Polemika për deputeten laburiste Angela Rayner dhe kryeministrin britanik (akuzat vijnë nga figura konservatore që kanë mbetur anonime) bëhet rasti i fundit i mizogjinisë. Ndërsa tre ministra të tjerë të qeverisë së Johnson, plus dy ministra të opozitës në hije, akuzohen për ngacmim seksual.

Deputetja mbrohet
Rasti i deputetes laburiste, shkruan “Corriere della Sera”, po rritet në Britaninë e Madhe pas deklaratave të deputetëve konservatorë të raportuar në një artikull në “Mail on Sunday”. Përballë polemikave, Rayner u mbrojt duke thënë se “faji im është që kam këmbë dhe vesh rroba” dhe saktësoi se “gratë në politikë përballen çdo ditë me seksizëm dhe mizogjini. Dhe unë nuk jam ndryshe”.

Kryeministri: “Respekt absolut për Angela Rayner”
Dhe ja fjalët e Johnson: “Unë nuk jam dakord pothuajse për asgjë me Rayner, por e respektoj atë si parlamentare dhe e shoh të mjerueshme mizogjininë e drejtuar ndaj saj në mënyrë anonime”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Solidariteti në të gjithë bordin
Reagimet në mbështetje të deputetes Laburiste nuk vonuan: nga shkrimtarja Eli Shafak, e cila i krahason akuzuesit e saj me “ekstremistë fanatikë si talebanët” te kryeministrja skocez Nicola Sturgeon, e cila, në solidaritet me deputeten e Londrës drejton gishtin në një artikull që është një “kujtues i mizogjinisë së thellë me të cilën gratë përballen çdo ditë”.

Në atë artikull thuhet ndër të tjera se Rayner e ka braktisur shkollën në moshën 16-vjeçare sepse ishte shtatzënë, se nuk shkoi në universitet, se ishte kujdestare, është e divorcuar dhe një e “klasës punëtore”, ndërsa për Johnson nuk thuhet se kishte disa gra dhe disa fëmijë.

Ministrat paditen për ngacmime
Nga ana tjetër, Doëning Street është gjithnjë e më shumë në syrin e stuhisë, dhe jo vetëm për festat në kohë bllokimi. Me të hetuarit e fundit për abuzim, shkruan “Messaggero”, bëhen 56 deputetët që u sinjalizuan pranë Skemës së Pavarur të Ankesave dhe Fyerjeve, organi i krijuar në vitin 2018 pas lëvizjes #MeToo.
Ministrat e raportuar do të kishin bërë komente të pahijshme të natyrës seksuale. Në një rast, shkruan Sunday Times, një deputet dyshohet se i ka dhënë ryshfet një punonjësi në këmbim të favoreve seksuale. Sekretari i përgjithshëm i sindikatës së nëpunësve civilë, Dave Penman, thotë se rasti tregon se si, pavarësisht hapave përpara për të mbështetur sinjalizuesin, ne jemi ende prapa në “ekuilibrin midis fuqisë që kanë deputetët mbi stafin e tyre”. Sipas Penman, marrëdhënia mes deputetëve dhe stafit të tyre duhet të ridiskutohet për të mbrojtur punonjësit në ushtrimin e funksioneve të tyre, të cilat janë thelbësore për të mbështetur zyrat e deputetëve.

Pushteti, deputetët dhe stafi
Sipas ministrit laburist në hije për dhunën në familje, Jess Phillips, numri i ankesave është “tronditës”: “Ka një problem serioz të mosbalancimit të pushtetit”. Dhe javët e fundit, e gjithë partia Konservatore është përfshirë shpesh në skandale seksuale. Vetëm pak ditë më parë, Tory Imran Ahmad Khan dha dorëheqjen pasi u dënua për sulm seksual ndaj një djali 15-vjeçar në 2008. Khan u deklarua i pafajshëm dhe apeloi. Një koleg tjetër, David Warburton, u pezullua nga pozicioni i tij si drejtues i ekipit pasi u përfshi në një skandal me kokainë dhe ngacmime, edhe pse ai u deklarua i pafajshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb