Nga: DARINA TANUSHI*

TIRANE – Një tjetër deputete e qarkut të Shkodrës, Mimoza Hafizi shprehu hapur dje, mosdakordësinë me deklaratat dhe qëndrimet e kolegut të saj, Tom Doshi. “Mua më kanë ngjarë shumë me shashka, të cilat janë përdorur vazhdimisht edhe nga opozita shqiptare, shashka që përdoren për të zhurmuar mentalitete dhe praktika antishtet”, – tha Mimoza Hafizi, në një intervistë për “Top Channel”. E pyetur nëse janë objektive pretendimet e zotit Doshi për pakënaqësitë e bazës në këtë qark, e mandatuara socialiste e Shkodrës u shpreh: “Më ngjajnë me shashka zhurmuese për të mbuluar praktika, mentalitete dhe ide të tjera”. Deklarata e Hafizit vjen, një ditë para mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, ku mendohet se mund të ketë sërish diskutime e debate në lidhje me akuzat e Tom Doshit. “Kriza e krijuar nga ky shpërthim i deputetit Doshi të jetë një moment shumë i mirë reflektimi për grupin socialist, por edhe për mazhorancën tonë qeverisëse, që të distancohemi maksimalisht nga praktikat dhe mentalitetet antishtet, për një kthjellim të qeverisjes sonë. Ndërsa në rastin e individit, kjo do të varet shumë edhe nga mënyra sesi do të sqarohet situata nga kryetari i Partisë Socialiste, i cili ka shumë më tepër informacion nga secili prej ne deputetëve, por ky do të jetë një vendim kolegjial i të gjithë grupit”, – u shpreh deputetja socialiste e qarkut të Shkodrës, Mimoza Hafizi.
MBLEDHJA E GRUPIT
Zakonisht, mbledhja e grupit parlamentar zhvillohet çdo ditë të hënë, por ka disa herë që, për shkak edhe të angazhimit të deputetëve, ajo është shtyrë për të martave. Burimet zyrtare nga grupi kanë konfirmuar dje, mbledhjen sot, në orën 13:00. Por, në çdo rast, nëse do të ketë një ridiskutim të akuzave që bëri deputeti Tom Doshi në mbledhjen e kaluar ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që ai drejton, burimet bëjnë me dije se nuk bëhet fjalë për ndonjë përjashtim të mundshëm të deputetit Tom Doshi. Kjo është konsideruar si “shprehje e demokracisë së brendshme”, nga një pjesë e deputetëve socialistë, ndërsa nga një pjesë tjetër është cilësuar si shprehje e “gjuhës së Berishës”. Deputeti Koço Kokëdhima, i cili ishte më pranë Doshit dhe kryeministrit Rama gjatë këtyre ditëve të konfliktit, tha se e gjithë çka shprehu Doshi kishte të bënte edhe me karakterin që edhe ne shqiptarët kemi si ballkanas. Një tjetër deputet, Fidel Ylli tha se këtë çështje do ta zgjidhin mes tyre Rama e Doshi. Por ka të tjerë si Namik Kopliku, që një ditë më parë u tregua i ashpër me kolegun e tij të një krahine. “Askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të socialistëve me gjuhën e Sali Berishës”, – tha Kopliku. I po këtij mendimi ishte edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kur foli në “Opinion” për akuzat e Doshit, ndaj tij dhe qeverisë. Tahiri dhe Doshi u takuan të shtunën në mesditë vetëm për vetëm të dy. Të pranishmit rreth e rrotull tyre, në Hotel Rogner, kanë dëgjuar një bisedë të tensionuar dhe nuk dihet se si do të vijojnë punët në mbledhjen e grupit të PS-së.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: