Një natë e vështirë ka qenë për banorët e një pallati 8-katësh në lagjen ‘Apollonia’ në Fier, ku banonte Nuredin Dumani, i cili u arrestua në një aksion policor. Një prej banoreve të këtij pallati, e cila jeton në katin e tretë të pallatit pohoi se ka dëgjuar zhurma të forta ku policia tentonte të hapte derën e apartamentit ku banonte me qira i shumëkërkuari për disa vrasje, raporton BalkanWeb.

“Tmerr me sende të forta po i binin dyerve. Edhe në kat të parë dhe deri në kat të katërt kishte policë. Unë banoj në kat të tretë. Nuk dola nga banesa. Dëgjuam vetëm zhurmë, që i binin me mjete të forta derës.”, tha gruaja për gazetarin Ervis Kuçi. Ndërkohë, që dera e banesës ku Dumani jetonte bashke me një vajzë nga Kosova, ruhet ende nga policia.

Mendohet se brenda shtëpisë mund të këtë të tjera sende që lidhin autorin me ngjarjet kriminale ku ai dyshohet se është implikuar. Mendohet se Dumani kishte vetëm dy javë që jetonte në këtë pallat bashkë me bashkëjetuesen e tij.

Dumani besohet se ka lidhje me ngjarjen që ndodhi rreth orëve të pasdites, ku në Elbasan, u gjet një mjet tip “BMW” i bërë shoshë nga plumbat, ku thuhet se ka ngelur edhe i plagosur. Në banesën në katin e fundit të një pallati në Fier, ku jetonte Dumani, u gjet në cilësinë e provës materiale edhe një kallashnikov.

Vlen të përmendet se Dumani është një emër i njohur i drejtësisë. Ai dyshohet për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, si dhe katër të rinjve në Durrës. Këto ngjarje kanë ndodhur në vitin 2020.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb