Në një kohë që Tirana po kryente stërvitjen e djeshme, afro 30 minuta pasi kishte nisur seanca, një lajm ka shokuar që të gjithë ekipin. Një nga punonjësit e klubit, pasi ka lexuar vendimet e dhëna dje pasdite nga Disiplina, ua ka komunikuar menjëherë stafit dhe vetë futbollistëve.

Dënimi i Gentjan Muçës me një vit i ka befasuar të gjithë. Askush nuk e priste një vendim të tillë dhe për më tepër kaq të rëndë, shkruan PanoramaSport.

Të gjithë e kanë cilësuar të tepërt këtë masë. Mërzitja ka kapluar kampin stërvitor “Skënder Halili”, teksa për minuta të tëra kryefjala e bisedave ka qenë pikërisht ky vendim. Sigurisht që ai e ka ndier më shumë ka qenë vetë protagonisti i kësaj historie, Gentjan Muça. Lojtari ka mbetur pa fjalë dhe është tronditur nga ky dënim, i cili është i pari që jepet në kampionatin tonë për thirrje të tilla. Madje, aq shumë ka ndikuar tek ai ky vendim, saqë është detyruar që ta ndërpresë me aq seancën stërvitore.

Emocionalisht i rënduar, ai nuk ka mundur që të vijojë më përgatitjet si pjesa tjetër e grupit. Shokët janë munduar që t’i japin moral, me shpresën që pas apelimit, ky vendim të rishikohet. Është pikërisht ky hapi i parë që do të bëjë klubi, ata do të ankimojnë vendimin e Disiplinës, pasi që të mos kenë gati për 12 muaj liderin e ekipit është sigurisht shumë, për të mos thënë dramatike.

Kujtojmë që kjo goditje është shumë e fortë për mbrojtësin, i cili nuk ka shumë që u rikthye në fushë pas operacionit që kreu në gju.

Tirana reagon pas dënimit të Muçës: Mos e bëni politike
Tirana ka reaguar menjëherë pas dënimit të dhënë nga Disiplina, e cila ka pezulluar Gentjan Muçën për 12 muaj për thirrjet e bëra pas derbit.
Ata e kanë cilësuar jo vetëm absurd vendimin e dhënë për zv.kapitenin të bardhebluve, por edhe të paprecedentë. Me anë të një deklarate, klubi kryeqytetas ka njoftuar se nuk do ta lënë me kaq, pasi ky dënim do të apelohet. Ndërsa bëjnë thirrje që këto situata të qëndrojnë larg ngjyrimeve politike, pasi në këtë formë janë duke dëmtuar vetëm futbollistët dhe klubin e Tiranës.

“Komisioni i Disiplinës ka marrë sot (dje) një vendim absurd dhe të paprecedentë duke dënuar me 12 muaj pezullim futbollistin e Tiranës, Gentjan Muça, për nxitje të urrejtjes pas ndeshjes së 4 majit. KF Tirana do të kërkojë ndryshimin e këtij vendimi absolutisht të padrejtë. Klubi do të apelojë këtë vendim duke kërkuar që të tilla situata të mos politizohen dhe të dëmtojnë më pas KF Tiranën, futbollistët bardheblu si në rastin e Muçës, apo dhe tifozët bardheblu si në rastin e mbylljes së dyerve për 8 javë”, kështu shkruhej në postimin e klubit në faqen zyrtare për dënimin e dhënë për mbrojtësin e Tiranës.

Pritet tani që klubi të bëjë gati dosjen e ankimimit, ku do të kërkojë rishikim të këtij vendimi. Në rast se edhe Komisioni i Apelit do të lërë në fuqi vendimin e dhënë prej Disiplinës, atëherë Gentjan Muçës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shlyejë gjysmën e dënimit. Megjithatë, sipas rregullores, atij i lind e drejta që, pasi të kalojnë 6 muaj e parë të dënimit, pjesën e mbetur ta konvertojë me vlerë monetare.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: