20 pikë diferencë është një shifër e pa dëgjuar më parë në derbin më të ethshëm të futbollit shqiptar. Partizani-Tirana vjen në një version ndryshe këtë sezon, në përballjen e tyre të dytë, me të kuqtë që luan për titull ndërsa bardheblutë për mbijetesë, të paktën ky është projeksioni që sjell tabela e klasifikimit. I vetmi detaj që nuk ka shumë diferencë ndërmjet tyre është sulmi, pasi si Partizani ashtu dhe Tirana, problemin më të madh këtë sezon e kanë pasur në gjetjen e golit.

15 gola ka shënuar ekipi i Gegës në 14 javë kampionat ndërsa 12 bardheblutë. Ndryshim më të madh e ka bërë mbrojtja me Partizanin që ka pësuar vetëm 6 gola, mbrojtja më e mirë në kampionat, kundër 17 golave që ka pësuar Tirana, mbrojtja e tretë më e dobët deri më tani. Sigurisht statistikat nuk kanë shumë rëndësi në derbi, pasi kjo është një ndeshje teke ku gjithçka mund të ndodh dhe këtë detaje kanë pak rëndësi. E vetmja statistike që mbase merr më shumë kuptim, është fakti që Tirana ka dështuar gjithnjë në katër vitet e fundit për të mposhtur Partizanin.

Si gjithnjë derbi i kryeqytetit luhet mbi të gjitha për tifozët dhe as ky derbi nuk pritet të jetë ndryshe pasi atmosfera në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” pritet të jetë elektrizuese. I vetmi detaj që zbeh këtë duel epik është mungesa e grupimit më të famshëm bardheblu, “Tirona Fatatics”. “Fanatikët” e Tiranës këtë herë nuk do të jenë në stadium për të mbështetur ekipin e tyre të zemrës pasi nuk mund të shkojnë si miq në shtëpinë e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb