Duhet të ishte një sfidë “jetë e vdekje” për të dy ekipet, duhet të ishte ndeshja më e rëndësishme e këtij sezoni por mes Partizanit dhe Tiranës, fitoi Covid-19. Derbi i fundit sezonal do të zhvillohet në gjurmët e këtij virusi i cili ka tronditur në themel klubin e kuq. 5 lojtarë pozitiv janë shumë, një shifër alarmante e cila ka bërë që në radhët e Partizanit vetëm për derbin të mos mendohet.

Ankthi pasi rezultuan pozitiv dy futbollistët e parë, Boldor dhe Ferati ishte shumë i madh, ky tension u shtua edhe më shumë pasi rezultuan pozitiv edhe 3 futbollistë të tjerë, Çinari, Mala dhe Kote.

Partizani
Partizani

Pavarësisht se përpara dhe pas testeve futbollistët janë stërvitur atmosfera nuk ka qenë aspak pozitive, askush nuk e kishte mendjen në stërvitje, thjeshtë kanë shëtitur në fushë. Partizani njoftoi se derbi do të zhvillohet sipas programit por është e vështirë të flasësh për një derbi normal.

Trajneri Sormani duhet të bëjë pa 5 lojtarë në këtë sfidë, disa prej tyre të projektuar si titullarë, mbi të gjitha nuk do të ketë në dispozicion futbollistin e momentin Eraldo Çinari.

Derbi ishte një mundësi e shkëlqyer për Partizanin për të vijuar garën për një vend në Europë, por në këto kushte, ku këto 5 lojtarë pritet të mungojnë më gjatë se sa derbi, pasi janë të detyruar të qëndrojnë në karantinë, objektivi kryesor i klubit të kuq do të ndërlikohet akoma më shumë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb