TIRANE – Një derbi nuk luhet vetëm në fushë apo në tribuna, por edhe me nota muzikore. Ka derbi edhe në këngë dhe këtë na e dëshmojnë më së miri dy personazhe të “showbiz”-it, pikërisht Kastro Zizo (Klevis Bega) dhe Big Basta (Gerald Xhari). Veç muzikës, ata i bashkon pasioni për futbollin. Të dy janë tifozë të ekipeve të kryeqytetit dhe jo tifozë të thjeshtë, pasi prej vitesh kanë zyrtarisht statusin e ultrasve.

Pika e vetme që i ndan janë ngjyrat, i pari është i kuq dhe i anëtarësuar në grupimin “Ultras Guerrlis”, ndërsa i dyti bardheblu dhe pjesë e “Tirona Fanatics”. Lidhja e tyre me këto ekipe është më shumë se e ngushtë, aq sa u kanë dedikuar edhe këngë. Në vitet më kritike të “demave” Kastro Zizo nxori në treg këngën me titullin “Përjetë me ty”, një mesazh që përdoret sot e kësaj dite nga tifozët e Partizanit. Ndërsa kënga e Big Bastës quhet “Tirona” dhe, mes rreshtave, e dallon hapur që është “Fanatics” dhe në venat e tij rrjedh gjak bardheblu. Do të jenë pa dyshim të pranishëm në stadium, madje i kanë rezervuar që dje biletat e tyre për ta ndjekur nga afër Partizani-Tirana. Gjatë një rrëfimi për “Panorama Sport” ata guxojnë që të bëjnë edhe parashikime në rezultat, por se kush do të festojë në fund kjo mbetet për t’u parë pas 90-minutëshit të së hënës, kur të dyja skuadrat do të zbresin në fushën e “Qemal Stafa”-s

Kastro Zizo e ndien veten totalisht të kuq dhe sigurisht si tifoz parashikon që Partizani i tij do të fitojë. Guxon deri në rezultat, teksa parashikon që “demat” e drejtuar nga Shpëtim Duro do të triumfojnë me rezultatin e pastër 2-0. Të hënën do të jetë mes “Guerrils”-ave, pasi sikundër thotë ai vetë, aty shijohet më së mirë një derbi. “Nuk do ta humbas këtë sfidë, nuk mundem kurrsesi. Do të jem aty, mes tifozëve të Partizanit, pasi unë prej vitesh jam i anëtarësuar te grupimi ‘Ultras Guerrils’ dhe mbi të gjitha e ndiej veten si të tillë. Unë gjithashtu kam edhe një këngë, e cila i dedikohet totalisht ekipit tim të zemrës dhe unë ‘Përjetë me ta do të mbetem’. Do të fitojmë ne me shifrat 2-0, por se kush do të shënojë, këtë nuk e di, do të gaboja nëse do të përmendja emra. E sigurt është që me mendje do ta bëj edhe unë një gol (qesh)”, thotë fillimisht Kastro, i cili jo humbjen që nuk e llogarit, por as barazimin. Më tej ai e cilëson Tiranën si një ekip lokalist, që përballë Partizanit nuk mund të presë rezultat tjetër veçse humbje. “Partizani ka ndryshuar ndjeshëm. Afrimi i drejtuesve të rinj ka dhënë fryte. Kjo kuptohet qartazi, mjafton të shohësh një ndeshje të këtij ekipi. Ndërsa Tirana do të mbetet përjetë një ekip lokalist. Madje, më bëhet shumë qejfi që FSHF-ja vendosi që t’i hapë dyert për tifozët e Tiranës, pasi vetëm kështu do të krijohet atmosfera e duhur për një përballje të këtij niveli. Të hënën triumfon Partizani, por edhe titulli në fund do të jetë i yni. Ky është pa dyshim viti i të kuqve!”, deklaroi Kastro Zizo.

KASTRO ZIZO – PËRJETË ME TY
Ti je gjithçka për ne
O Partizon, o Partizon
Të duam ne
milionë tifozë ti ke,
Oo Partizon, O Partizon
Jetën gjithë kohën
ia kushtove atij
Mendjen te ty,
tifozat me ty
Emri jot do ngelet
gjithmonë përjetësi
Çunat shpartallojnë
njësoj si demat e kuq
Stadiumi në prush, është
Partizan
Ti je gjithmonë i pari
Në frontin për kupë
Në zemër për luftë,
Oo Partizan, oo Partizan

Big Basta. E identifikon veten si “Fanatics” dhe e pranon hapur se lidhja e tij me Tiranën është tepër e veçantë. Big Basta do të jetë në tribunë në këtë takim për të parë nga afër derbin e madh të kryeqytetit. “Nuk mund ta humbas dhe mbi të gjitha pasi kam kohë pa e ndjekur Tiranën në stadium, kjo si pasojë e dënimit të dhënë nga Disiplina. Derbi do të vishet bardheblu, këtë e them me siguri. Kjo Tiranë është pa dyshim më e fortë, qoftë edhe se Partizani. Kemi lojtarë që bëjnë diferencën, krahasuar me ata të Partizanit dhe këtë do ta dëshmojnë të hënën. Do të fitojmë me goleadë, madje mund të shkoj deri aty sa të parashikoj edhe autorët e golave. Do të shënojë pa dyshim Ndikumana, kapiteni ynë Bulku gjithashtu, si dhe Elis Bakaj, lojtar që ka bërë diferencën në javët e fundit. Një fitore me shifrat 3-0 do të mjaftonte për ne. E kam prerë tashmë biletën në tribunë, por nuk e përjashtoj mundësinë që të jem aty mes grupimit të tifozëve për ta parë këtë derbi. Që prej vitit 2009 unë jam anëtar i ‘Tirona Fanatics’, si dhe i ‘Plisave’ dhe i ‘Shvercerave’, tre grupime mjaft të lidhura me njëra-tjetrën. Pra, nuk jam një tifoz kalimtar, pasi unë e ndiej Tiranën. Në tekstin e këngës që kam shkruar dhe kënduar për ‘Tironën’ si kryeqytet, nuk mund të mos nxirrja në pah faktin që jam fanatik bardheblu. Çmendurira mund të bëj shumë për këtë ekip, por fillimisht po pres mbylljen e këtij derbi në favorin tonë dhe më pas do të nisë festa që do djegë të gjithë ‘xhamllikun’”, përfundoi Big Basta.

BIG BASTA – TIRONA
Kena instiktin e ujkut, me gjak fanatikësh
Të vetmit që s’dinë kurrë me njoft ça është
frika
Në çdo cep t’botës jena burim krenarie
Me stil, jena xhentile, e sa shum kena shije
Makinat koleksione në garazhdin e çdo shtëpie
U bon 1,2,3 edhe qeni rri vet
Ju lehin patetikëve që s’ditën asnjë nder
Po e rrenojnë përdite dhe nuk thonë as
Epiqendra artit, këtu janë televizionet
Hipi teleferikëve dhe nga lart do e kuptoni
Kush është me Gangsta, e kush ja ve zjarrin
Kush e mblodhi dijen edhe kush i han fajet
Karakteristikë kena zemrën e Shqiptarit
është e bardhë, rreh shpejt, ne marrim hapa
të shpejtë para
Gishtat ngrejmë sipër edhe kokën mbajmë lart
Se jam Bardh e Blu n’zemër
E Kuq e Zi n’gjak

(er.nu/panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: