Orges Shehi shijon për herë të parë një derbin e kryeqytetit si trajner, sfidon ish ekipin e tij, por këto detaje kanë pak rëndësi për teknikun bardheblu. Pavarësisht se ky pritet të jetë një derbi me shumë peshë edhe sa i përket të ardhmes dhe objektivave të dy klubeve, Shehi kërkon të largoj presioni nga ekipi, ashtu si Daja e konsideron si ndeshje të radhës që vlen thjeshtë tre pikë:
Derbi – “Derbi nuk do koment, por ne duhet të fokusohemi dhe të përqendrohemi si ndeshja e radhës. Ka edhe shumë javë të tjera në garë, kështu që do të impenjohemi maksimalisht, por duke e konsideruar si ndeshja e radhës.”

Statistikat dhe objektivi – “Statistikat janë pjesë e juaja, unë nuk i trembem asnjë lloj kundërshtari, duke pasur parasysh lojtarët që kam. Do të futemi me synimin për të bërë maksimumin, për t’u ringjitur aty ku duhet dhe aty ku na takon.”

Specifika e veçantë e derbeve – “Rezultatet pozitive ndikojnë në humorin dhe psikologjinë e skuadrës, por ndeshjet derbi kanë një specifikë të veçantë ku nuk merren parasysh e kaluara dhe e tashmja. Shpresojmë ta interpretojmë mirë dhe të mos gabojmë.”

Grupi i skuadrës – “Skuadra është e plotë, sigurisht ndonjë lojtar nuk është akoma në 100%. Është derbi, lojtarët do të japin më të mirën e tyre. Patjetër që e analizojmë çdo kundërshtar, por në radhë të parë analizojmë veten tonë, çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë keq.”

Motivimi i grupit – “Nuk kam dashur ta ngarkoj skuadrën këtë javë. Trajneri e ka të lehtë motivimin në këtë ndeshje, lojtarët motivohen dhe karikohen vetë. Thjesht duhet të jemi të përqendruar dhe të vlerësojmë çdo detaj, sepse gjërat e vogla kanë shumë rëndësi në ndeshje të tilla.”

Ndeshjet – “Sa vijnë dhe ndeshjet pakësohen dhe sa vjen dhe ke pas mundësi për të qenë brenda objektiva. Është ndeshje e rëndësishme, luajmë ndaj kundërshtarit tonë historik. Nuk duhet të ngarkohemi, ta marrim si ndeshja e radhës dhe të mos harrojmë se ka edhe shumë ndeshje në garë deri në fund të kampionatit.”

Derbi si bardheblu – “E kam provuar derbin në cilësinë e lojtarit. Në cilësinë e trajnerit është derbi im i parë, por, deri tani, nuk është se ka ndonjë ndjesi të veçantë. Duam të bëjmë më të mirën dhe duhet të mbushemi me besim për t’u futur nesër në fushë.”

Mungesa e tifozëve – “Patjetër që derbi ka ndikim edhe te tifozët, mezor e presin të gjithë këtë ndeshje. Nuk kemi ç’bëjmë, duhet të përqendrohemi te fusha, pjesa e tifozëve u përket atyre.”

Adrenalina e derbit – “Shumë pak lojtarë e kanë për herë të parë derbin. Edhe prurjet e reja do të përshtaten me adrenalinën e derbit, por lojtarët me eksperiencë do t’i ndihmojnë për të qenë aty ku duhet.

Rezultati – “Është një ndeshje që i ka të tre rezultatet brenda, por ne do të jemi të përqendruar për të marrë maksimumin. Se çfarë do të prodhojë fusha e lojës, mbetet për t’u parë nesër.”

Nuk arriti të linte gjurmë në derbin e parë por historia është ndryshe tashmë për Taulant Seferin. Sulmuesi i Kombëtares ndihet më mirë, është përshtatur më shumë me ekipin dhe shpreson që këtë herë të mposht Alban Hoxhën:

“Po ecën mirë dhe shpresoj që nesër të jemi me të njëjtin ritëm. Ta marrim me qetësi dhe vëmendje dhe shpresoj të triumfojmë. Tifozët? Më mungojnë shumë. Edhe në derbin e kaluar ishte pa tifozë dhe është ndrysim dhe mungesë e madhe edhe për ne dhe për futbollin shqiptari.

Futbolli nuk është individual, jemi kolektiv, poe marrim me qetësi dhe me përqendrim të madh. Në ndeshjen e parë me ta kisha 6 muaj pa luajtur, kisha probleme, tani jam mirë.

Alban Hoxha ka thënë se nuk i shënoj dot? E përshëndes Albanin shumë se është ‘superçun’, por do e shobim në ndeshje. Rasti i humbur në ndeshje? Më kujtohet, por s’kemi ç’bëjmë, kështu është futbolli”, u shpreh Seferi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb