Eshtë derbi i 222-të i Milanos. Do të jetë i dymbëdhjeti për Mauro Icardin, i pari për Gonzalo Higuain. Nga Buenos Aires, Madridi dhe Torino, “Pipita” ka luajtur disa derbe. Ai po bëhet gati të debutojë edhe në atë të zjarrtin, derbin e Madoninës.

Të dy sulmuesit argjentinas, në mënyrë të pashmangshme janë pika referimi, tek të cilët skuadrat kanë varur shpresat e mëdha të suksesit. Icardi ka provuar tashmë të jetë vendimtar në derbin e Milanos dhe është duke kaluar nëpër një moment të mirë aktual. Higuain është bërë direkt lider te kuqezinjtë. Dy kampionë në rol, dy numra 9, që i kanë zili tifozët e gjysmës së Europës dhe i kanë frikë shumica e mbrojtjeve kundërshtare. Po përpiqemi t’i krahasojmë ato…

FOTOGRAFIMI
ICARDI, VOTA 8.5 – 
Goli i shkëlqyer, i shënuar gjatë debutimit absolut në Ligën e Kampionëve, kundër Tottenham, përmbledh potencialin e kapitenit të Interit. Megjithatë, për shkak të mënyrës se si zikaltrit lëvizin në fushë, Icardi rrallë e gjen veten në një pozicion për të bërë të tilla goditje nga distanca. Ama, kur e bën atë, rezultatet janë shpesh pozitive.

HIGUAIN, VOTA 9 – Djathtas, majtas, në qendër, plot energji dhe saktësi, që godet nga distanca dhe nga afër, si nga brenda zonës së penalltisë. Goditja e “Pipita” duket me lehtësi ekstreme dhe efikasitet, në të gjitha mënyrat. Aftësitë e tij “balistike”, shpejtësia e ekzekutimit, shumëllojshmëria e goditjes e kanë bërë atë një nga bombarduesit më të “pangopur” në historinë e Seria A.

GODITJET ME KOKË
ICARDI, VOTA 8 – Edhe pse nuk është shumë i gjatë, as ka një shkëputje të fuqishme ajrore, Icardi ka “pajën” e tij më të mirë në zonën e rreptësisë, duke shënuar nga topat e lartë, me kokë. Janë 18, golat e shënuar në këtë mënyrë nga sulmuesi argjentinas i Interit në Seria A.

HIGUAIN, VOTA 7.5 – Shënimi në këtë mënyrë nuk ka qenë kurrë një nga specialitetet e tij. Vetëm 8 prej 115 golave gjithsej në Seria A, që mbajnë autorësinë e Higuainit, mes Napolit, Juventusit dhe Milanit, janë realizuar me kokë. Por, “Pipita” di si të jetë i pamëshirshëm edhe në ajër, duke përdorur nuhatjen e tij për golin dhe pozicionimin e mirë. Në të vërtetë ai ka një mesatare shënimi me kokë për çdo 2.4 përpjekje drejt portës kundërshtare.

TEKNIKA
ICARDI, VOTA 8 
– Stili i tij i të luajturit ka pak kufizime teknike. Ndodh rrallë, në fakt, që ta shohim Mauro Icardin duke  u angazhuar në dribling, ose hapa të dyfishtë, ndërsa posedimin e topit e menaxhon shumë mirë.

HIGUAIN, VOTA 9 – Nga një këndvështrim stilistik futbollistik, Higuain është një “10” i maskuar si “9”: finalizues i përpiktë, por edhe ndërtues i manovrës sulmuese, në sajë të shikimit të tij të shkëlqyer të lojës. Ai e ka vendosur veten edhe si një shërbyes ideal për shokët e skuadrës, sepse ka 26 asiste që nga ardhja e tij në Itali.

SENSI I GOLIT
ICARDI, VOTA 10 
– Kapiteni zikaltër konsiderohet botërisht si sunduesi i zonës së rreptësisë. Mauro Icardi është “vrasësi” klasik i zonës së 16-metërshit. Që kur e merr topin brenda zonës së kundërshtarit, rrallë gabon. Për të thënë, pothuajse kurrë. Kur topi kalon nga këmbët e e tij, ai shpesh kthehet në një gol.

HIGUAIN, VOTA 9.5 – 111 gola në pesë vite karrierë në Itali, të cilëve iu duhet të shtohen edhe 4 rrjeta, tashmë me fanellën e Milanit. Ai ka një rekord prej 36 golash ​​në sezon, në kohën e Napolit, kur kishte në kulmin e karrierës së tij në drejtim të konkludimit. Një makinë e vërtetë golash./telesport

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: