Tirana po kalon një moment fantastik, 4 fitore në 4 ndeshjet e fundit, për më tepër përballë pretendentëve për titull, i ka dhuruar bardhebluve kreun dhe stofin e një ekipi favorit. Kryeqytetasit nuk dëshirojnë të ulnin ritmin as në Kupë, nuk dëshirojnë të bëjnë gabimin e një viti më parë, për këtë arsye trajneri Shehi premton angazhim maksimal edhe në Kupë ku të mërkurën përballën me Dinamon, në një tjetër derbi të kryeqytetit. Sigurisht nuk e ka peshën dhe interesimin e një derbi Tirana-Partizani, por mbetet një sfidë historikë kundër një rivali që Shehi e vlerëson maksimalisht:

Ndeshja ndaj Dinamos – “Është e rëndësishme ndeshja ndaj Dinamos për historinë dhe përbërjen. Kemi përballë një skuadër shumë të fortë me individë shumë cilësorë. Duhet përqendrim dhe vlerësim maksimal duke parë historinë dhe cilësinë që ata kanë brenda.”

Merkato – “Me merkaton merret klubi dhe mendoj se nuk është ndonjë problem i madh sepse ne nuk jemi në prag merkato.”

Mungesat – “Problem quaj dëmtimin e Ismajlgecit e di që kam mungesë Tolin dhe Ngonë për shkak të kartonëve, por mungesa e Ismajlgecit na shton problemet. Ky është problemi që unë kam dhe jo merkato, sepse është diçka që zgjidhet.”

Euforia – “Nuk mendoj se kemi vend për eufori kemi luajtur 7 ndeshje dhe na presin dhe 29 të tjera plus Kupën. Kurrsesi nuk duhet të biem pre e euforisë. Kupa ka dy takime, nuk është se vendoset gjithçka nesër. Ka një takim tjetër për kthimin, duhet të jemi të kujdesshëm. Është e rëndësishme që të vazhdojmë me këtë intensitet, impenjim dhe shpirt gare.”

Kalendari – “Kemi pasur një ngjeshje, kemi luajtur me Partizanin të hënën, me Vllazninë të shtunën dhe do të luajmë dhe dy ndeshje të tjera dhe personalisht ndeshjen në kampionat do të doja ta kishim të dielën, por kështu është kalendari. Kemi pak kohë për të rikuperuar kohë. Ne po bëjmë paraqitje të mira, duke pasur dhe 29 javë nuk duhet të ketë vend për eufori. Ne duhet të jemi ekipi që nga minuta e parë deri në fund me një impenjim maksimal. Nuk duhet të jemi ekipi që sa të bëjmë një fitore të pushtojmë studiot televizive dhe kjo është filozofi e jona. Duhet të përqendrohemi vetëm te fusha dhe duhet të jemi shumë serioz.”

Ismajlgeci – “Është shqetësuese gjendja e Ismajlgecit sepse dëmtimet nuk po e lënë që ai të shfaqet në realitet ashtu siç është. Ai lojtar që unë mendoj që është një nga më të mirët në Shqipëri dhe ky vit mendoj se do të jetë i tiji për të bërë dhe hapin e madh. Shpresojmë që ta rikuperojmë në kohë, kjo falë dhe mjekëve që po e mbajnë në kujdes të jashtëzakonshëm për ta rikuperuar, por çdo dëmtim ka diët e veta dhe nuk duam ta rrezikojmë.”

Rivaliteti i derbit të kryeqytetit – “Ndryshimi i vetëm është që ka impakt tek njerëzit dhe tifozët, sepse jetohet me shumë rivalitet derbi me Partizanin dhe për shkak se Dinamo ka pasur edhe një shkëputje prej 9 vitesh që Dinamo nuk ishte një skuadër që pretendon dhe kjo e ka zbehur disi rivalitetin. Janë dy skuadra me histori i vetmi ndryshim është përjetimi që ka tek lojtarët dhe tifozët.”

Kampionati – “Ky është një kampionat me shumë rivalitet, pavarësisht se disa skuadra nuk kanë pikët që prisnin ose nuk kishin pritshmëritë e fillimit, por kanë kaluar vetëm 7 javë dhe janë 7 skuadra që janë të investuara dhe të mirë ndërtuara dhe mendoj se do të jetë një kampionat rivalizues. Vazhdimësia do të tregojë se cila skuadër do të jetë më kompetitive dhe më serioze për të vazhduar rrugën për objektivat e tyre. Në kampionatin tonë ka vetëm ndeshje të vështira dhe nuk ka asnjë të lehtë.”

Dinamo – “Ndoshta Dinamo nuk ka rezultatet që ato presin, janë një skuadër e re, por me lojtarë me eksperiencë. Me lojtarë që të bëjnë dëm në çdo moment. Shkalla e vështirësisë është njëjtë si me Dinamon si me çdo skuadër tjetër. Duhet të hyjmë në fushë me mentalitetin për të bërë më të mirën. Favorit në letër unë mendoj se është një gënjeshtër sepse është historia brenda, është derbi, është kualiteti i lojtarëve, dhe kurrsesi nuk duhet të hyjmë si favorit.”, përfundoi Orges Shehi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: