Nga: JETON SELIMI
TIRANE- Mirel Josa po shijon pushime të merituara pasi mbylli aventurën e tij 4-vjeçare në krye të Skënderbeut, ku kurorëzoi dhe 4 tituj kampionë. Ish-lojtari dhe ish-trajneri i Tiranës, natyrisht që është një tifoz bardheblu, ndaj edhe derbin e ndjen si të tillë, ndonëse për “Gazetën Shqiptare” ai jep një mendim profesional, duke parë ato se çfarë kanë dhuruar këto dy skuadra në tri javët e para të kampionatit.

“Cili ekip do ta fitojë derbin? Kjo do të varet nga egoja e të dyja skuadrave. Tirana do të kërkojë të thyejë tersin e viteve të fundit, ndërsa Partizani, që synon titullin kampion, do të kërkojë me çdo kush të ruajë hapin e Skënderbeut. “Kanë presion të jashtëzakonshëm si Tirana, ashtu edhe Partizani, sepse duan që të konfirmohen si pretendente për titull”,thotë Mirel Josa. “A janë Partizani dhe Tirana rivalë të Skënderbeut? Është ende herët, por unë nuk i shoh ndeshjet në varësi të pikëve, por në varësi të asaj që kanë dhënë në fushën e lojës. Duhet të kemi parasysh diçka. Derbin nuk duhet ta marrim si ndeshje jetike. Është ende shpejt dhe Skënderbeu akoma nuk i ka filluar ndeshjet e forta. Derbi nuk është tregues. Partizani e Tirana duhet të tregojnë kujdes ndaj çdo rivali, jo vetëm ndaj Skënderbeut. Natyrisht që ky është takimi që kërkojnë ta fitojnë të dyja skuadrat”, thotë trajneri 5 herë kampion me Tiranën dhe Skënderbeun.

Më pas, Josa bën një analizë të shkurtër të asaj që kanë dhënë dy ekipet aktualisht. Kuptohet që janë luajtur vetëm 270 minuta kampionat, por gjithsesi një ide është krijuar. “Paraqitjen e Tiranës e gjykoj pozitive për faktin se bëri një ndeshje të mirë me Kukësin. Së çfarë duhet të rregullojnë më tej, kjo është një temë që i takon trajnerit dhe stafit. Gjithashtu, edhe Partizani në Durrës tregoi gjëra pozitive, sepse mori tre pikët dhe nuk lëshoi shumë terren ndaj Skënderbeut, që ishte dhe misioni i tyre për këtë takim”, mendon Josa. Më pas, ish-mesfushori i Tiranës së famshme të viteve ’80, shikon dhe një qëndrim të kundërt mes dy kampeve. Sipas tij, te Tirana po e përgatisin më mirë ndeshjen, ndërsa te Partizani po flasin më shumë se ç’duhet. “Në këtë përballje do të jetë mënyra sesi do ta shfaqin egon dhe kjo gjë nuk varet nga deklaratat.

Tirana më duket më e përqendruar, po punon në qetësi. Ndërsa Partizani duhet ta dijë se nuk mund t’i fitojë ndeshjet me çfarë ka bërë në vitet e shkuara. Derbi nuk fitohet kështu, duke thënë se kemi kaq derbi pa u mundur apo se kemi kaq vite që triumfojmë. Çdo derbi ka historinë e vet. Varet nga gjendja aktuale. Nuk shoh shumë diferenca mes dy ekipeve”. Më pas, trajneri kampion në fuqi shikon më me imtësi detajet që favorizojnë, apo detaje që skuadrat i kanë kundër. Te Partizani vëren mbrojtjen, ndërsa te Tirana, çuditërisht, faktin se ndeshja do të luhet në “Elbasan Arena”. “Pika më e fortë e Partizanit është mbrojtja, gjë që më duket e natyrshme, sepse ka të bëjë mentaliteti i trajnerit. Italianët i kushtojnë shumë rëndësi mbrojtjes, por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se është shumë e rëndësishme si do të sulmojë e t’i japë prioritet entuziazmit të tifozëve të kuq. Nga ana tjetër, Tirana do shkojë më e lirshme në Elbasan. Bardheblutë nuk kanë asnjë presion dhe kanë tifozët me vete. Tifozërinë e Tiranës e lehtëson fakti se kjo ndeshje do të luhet në Elbasan, por duhet të kenë diçka të rëndësishme parasysh: duhet të japin përkrahje ndaj stafit dhe lojtarëve,” analizon Josa, që më pas thotë se nuk është fare gjë e mirë që kryeqyteti të humbasë një ndeshje si kjo.

“Nuk është normale që derbi i madh të luhet në Elbasan. Nuk kemi çfarë t’u bëjmë kushteve që ka kampionati shqiptar. Partizani nuk ka fushë dhe ky do të jetë një minus për Partizanin gjatë gjithë sezonit”, përfundon deklaratën e tij Mirel Josa.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: