Goli i Çinarit në sfidën e dytë kundër Tiranës i dhuroi Ilir Dajës fitoren e parë në karrierë në derbin e kryeqytetit. Kjo mbetet një sfidë e veçantë në çdo aspak por në fund vlen po tre pikë, po aq sa çdo sfidë tjetër, thjeshtë ka një dozë ekstra në nivelin psikologjik. Në ditë përpara përballjes më të rëndësishme të futbollit shqiptarë, trajneri i Partizanit përpiqet të ul presionin që përfaqëson kjo sfidë duke e konsideruar si një sfidë të radhës që nuk ndryshon objektivat e të kuqeve:

“Ke pasur një vazhdimësi goxha pozitive. Nesër kemi një derbi që nuk ka rëndësi çfarë kemi bërë më parë. Nesër duhet një trajtim I veçantë dhe duhet trajtuar me përgjegjësi. Gjatë gjithë kësaj jave kemi bërë një përgatitje psikologjike, për ta marrë si ndeshjen e radhës paçka se e dimë rëndësinë që ka.

Unë jam trajner i Partizanit dhe nëse më thoni si e trajtojmë derbin, nuk merrem me trajnerët apo formacionin e kundërshtarëve. Më shumë më intereson skuadra ime dhe fryma që krijohet te ne.

Nuk e luajnë trajnerët derbin, e kanë lojtarët dhe tifozët, që paçka stadiumeve të mbyllura nuk na kanë munguar në çdo ndeshje edhe pse jashtë rrethimit. Të fokusohemi te ajo që do bëjmë ne, jo ajo që do bëjë kundërshtari. Të shohim se cila do jetë manovra që do na nxjerrë më të sukseshëm.

Kampionati ka filluar në 3 nëntor dhe kalendari ka qenë shumë I ngjeshur. Lojtarët e Partizanit kanë bërë 3 ditë pushim për Vitin e Ri dhe ndihet lodhja. Paçka se s’kemi bërë mirë këtë tre javë, këtë kanë bërë edhe kundërshtarët, veç Tiranës që ka bërë mirë.

Derbi veç një ndeshjeje që duhet fituar, ka aspektin psikologjik si bonus por vlen tri pikë. Edhe nëse fitojmë apo edhe një tjetër rezultat, nuk ndryshojnë objektivat. Nëse duam të shkojmë te ato objektiva, në bazë të rezultateve dhe asaj çka kemi bërë, ka rritur objektivin e Partizanit. Duam të luajmë për ta fituar ndeshjen dhe më pas të shohim.

Junior ka qenë I dëmtuar për një tërheqje muskulare dhe gjatë kohës ka dalë me Covid-19. Është bashkuar tani me grupin dhe nesër do e kemi në stol për suport moral. Po kështu edhe Hasani. Gjithë grupi do jetë bashkë, edhe ata që nuk janë gati për lojë.

Veç ndjekjes së lojës, ne e trajtojmë lojën edhe pas. Si me Fierin dhe Skënderbeun kemi bërë ndeshje të mira, nuk ka munguar motivimi për të marrë fitoren. Kanë qenë gjëra teknike, si dhe lodhja që ka ndikuar për të mos qenë në formë të mirë, si çdo ekip edhe në nivele të larta në Europë që kanë pasur oshilacione, për të mos përmendur emra. Skënderbeu na goditi 2 herë, një gol dhe tranversën. Duhet të rrisim presionin te kundërshtari, motivimi ka qenë por ka arsye të tjera që na bënë mos fitojmë”, tha Daja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb