Tirana dhe Orges Shehi lënë takim me historinë, të mërkurën në “Air Albania”, bardheblutë kanë shansin e artë të hedhin një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit kampion, por kjo është një sfidë që nuk duhet humbur. Pavarësisht se ne letër, Tirana luan për të dy rezultatet, Shehi nuk firmos për një barazim, është i bindur gjithashtu se si do të përfundojë kjo sfidë, titulli nuk vendoset në derbi:

Gjendja e ekipit në prag të derbit?

Dihet që mungesat janë prezentë dhe ata lojtarë që janë të dëmtuar. Pjesa tjetër është e gatshme. Dhe Kristali (Abazaj) nesër është në gjendje të jetë i gatshëm për skuadrën.

A ju kanë bërë më të mbledhur apo ju ka ulur entuziazmin mungesat në derbi?

Mungesat janë të rëndësishme, janë lojtarë që njëri është golashënuesi i skuadrës, të tjerët janë pjesë shumë e rëndësishme si Hila, si Behiratçe. Por këto janë gjëra që ndodhin dhe ne kurrësesi nuk mund të qajmë mungesat. Do të hedhim në fushë lojtarët që janë të gatshëm për t’i zëvendësuar dhe që të luajnë atë shansin e tyre.

Është në avantazhin tuaj që ju luani për dy rezultate, ndërsa Partizani kërkon vetëm fitore?

Nuk e di nëse është avantazh ose disazvantazh. Skuadrat kanë specifikën e vetë, renditjen, kanë grupin të plotë ose jo, kanë anën psikologjike. Unë mendoj se pas kësaj janë dhe tre ndeshje të tjera të rëndësishme, për objektivin final. Ne jemi shumë të kënaqur që vijmë në këtë moment të kampionatit në këto pozita. Në vendin e parë dhe në finalen e Kupës. Por janë shumë pak ditë edhe këto ditë janë ato që i japin frytet e djersës që ke derdhur gjatë gjithë vitit. Shpresoj që të jemi në më të mirën tonë, sepse duke qenë në më të mirën tonë, atëherë edhe rezultati është më afër, por kjo do dhe pak fat, që shpresoj ta kemi ne nesër.

Nëse fitoni nesër mund të themi që është mbyllur çështja e titullit?

Janë dhe tre ndeshje të tjera. Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme vendimtare, por jo përfundimtare. Çdo skuadër shkon drejt objektivit. Në këto tre ndeshje ku çdo skuadër është brenda objektivave do të jenë të vështira. Nuk mendoj se është përcaktuese nesër se kush fiton do të vendosë titullin.

Kolela ka qenë thuajse në të gjitha ndeshjet duke ju studiuar…

Është një veprim i trajnerit të Partizanit. Sigurisht ndoshta ka dhe kohën e mjaftueshme duke ditur që edhe shumica kanë luajtur para nesh, por është një zgjedhje e tij dhe është pyetje që mund t’ia bëni atij. Ne nuk është se kemi gjë për të fshehur, sepse duke qenë që TV i japin ndeshjet tona, si live si ritransmetim, duke pasur programe që mund të marrësh informacione për kundërshtarin. Kështu që ne kemi pasur vetë si staf që mos të shohim ndeshjet e kundërshtarit, por duke pasur parasysh këto që thash, e kemi më të përqendruar informacionin për ekipin kundërshtar.

A ka presion te Tirana para derbit? Do të firmosnit për një barazim?

Unë do të firmosja për lojtarët e mi që të japin më të mirën. Që të futen në fushë për atë që po bëjnë. Dhe pavarësisht mungesa do të kërkoja një skuadër që ka kurajë, ka karakter, që futet në fushë për të dhënë më të mirën e vetë edhe për të shijuar momentin. Kjo për t’i ulur presionin, pasi presioni është i pranishëm në çdo derbi, por është mirë kush e menaxhon. Nëse ke anën emocionale në doza të larta, atëherë dëmtohesh dhe nuk e jep më të mirën tënde. Këtë do t’i kërkoja lojtarëve nesër edhe në dhomat e zhveshjes. Që sa më pak presion dhe sa më shumë krenarë dhe kurajozë për atë që po bëjnë.

Si e keni përgatitur këtë ndeshje, si një derbi apo si një finale për titull?

Derbi. Unë do thoja derbi. Kush e ka provuar derbin këtu nuk hyn asgjë, as renditja, as objektivat, por përqendrimi dhe rëndësia është vetëm te kjo ndeshje, sepse e dimë që derbi ka shumë pak lojë efektive, karakterizohet nga grinta, nga lufta sportive, vendoset nga episodet. Shpresoj që nesër të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Të vlerësojmë episodet, sepse në derbi episodet vendosin shumë për ndeshjen.

Riktheheni në “Air Albania” pas shumë kohësh. Mendoni se do t’ju sjellë fat?

Po t’i hapim statistikat fati ynë ka qenë “Elbasan Arena”. Mendoj se derbi është një ndeshje për t’u luajtur në një impiant si “Air Albania”. Shpresoj që nesër tifozët të jenë të shumtë. Mendoj se për derbin është i përshtatshëm stadiumi “Air Albania”.

Pjesëmarrja në finalen e Kupës ju rrit entuziazmin apo ju ngarkon fizikisht?

Ne jemi sot me datë 16, nesër 17 dhe mos gaboj janë 14 ditë. Në këto 14 ditë ne do të luajmë 5 ndeshje, njëra është finalja e Kupës. Ngarkesa fizike do të jetë, duke pasur parasysh që dhe kontingjentin nuk do e kemi shumë të madh, por do të mundohemi që skuadrën ta mbajmë të freskët. Në finalen e Kupës është kënaqësi dhe gjë e mirë që skuadra e arrin. Jemi në lojë për gjithçka dhe kur je në lojë për gjithçka të jep optimizëm për t’i marrë ndeshjet me shumë dëshirë, me shumë grintë, sepse në fund fare këto janë ndeshjet që punon gjatë gjithë vitit dhe kur je brenda objektivave kërkon të marrësh gjithçka. Kjo të mbush me optimizëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: