Skënder Gega u shpall kampion me Partiza nin në sezonin 2018- 2019 pikërisht në një derbi. Ish-trajneri i të kuqve thotë se kur titulli vendoset kundër rivalëve të përjetshëm është dyfish gëzim, por shton gjithashtu se nuk ia kishte marrë mendja se historia mund të përsëritej kaq shpejt

“Po, Tirana i ka të gjitha mundësitë që ta festojë titullin në derbi dhe unë e di se çfarë ndjesie është, por ata duhet ta dinë se Partizani nuk e ka në ADNnë e tij dorëzimin. Përkundrazi, kam përshtypjen se do të jetë një betejë sportive, jo vetëm sepse Partizanit i duhen pikët për Europën, por edhe për faktin se në derbi nuk ka favoritë. Jam i bindur se Partizani ka po aq shanse sa Tirana për ta fituar këtë ndeshje”, thotë Skënder Gega për “Panorama Sport”.

Gega, çfarë ndjesie është ta vulosësh titullin në derbi?

Ndjesi e bukur pa dyshim. Ne e festuam kundër rivalëve të përjetshëm në shtëpinë e tyre. Natyrisht, nuk ishte rastësi, sepse gjithë sezonin kishim punuar së bashku dhe kishim sakrifikuar që të rikthenim titullin te Partizani pas 26 vitesh. Por ishte e bukur.

Po Tirana a mund ta festojë titullin pikërisht kundër Partizanit?

Nuk e mendoja se do të përsëritej historia kaq shpejt. Ose më saktë: mundësia që një mes këtyre ekipeve ta festonte titullin pikërisht në një derbi. Po, ekzistojnë mundësitë, por duhet të dini se Partizani nuk e ka në ADNnë e tij dorëzimin. Po ju them se Partizani ka po aq shanse për ta fituar ndeshjen nesër (sot) sa edhe Tirana. Për mua mundësitë janë 50 me 50. Një derbi që luhet në Elbasan…

Cilën prej skuadrave shikoni favorite në një ndeshje si kjo?

Mirë do të ishte që një ndeshje si kjo të luhej në “Air Albania”. Për shumë motive. Sa për pjesën e skuadrës që ka më shumë shanse, më besoni kur u them se në një ndeshje Partizani-Tirana vështirë të thuash se ka favoritë…. Derbi për mendimin tim gjithnjë i ka mundësitë e barabarta. Tirana ka mungesa dhe nuk vjen nga një moment i mirë, por mbetet një skuadër e rrezikshme dhe e motivuar. Nga ana tjetër Partizani lufton për Europën, por mbi të gjitha e dinë fare mirë se një fitore në derbi është edhe çështje krenarie për ta. Do të jetë e luftuar dhe shpresoj që të shohim një ndeshje të bukur.

Cili është sekreti për ta fituar një derbi?

Nuk ka ndonjë sekret të madh, por i rëndësishëm është menaxhimi i presionit. Përgjithësisht ia dalin mbanë skuadrat që mbajnë nën kontroll emocionet e një ndeshjeje si kjo dhe dinë të ruajnë përqendrimin dhe ekuilibrat gjatë ndeshjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: