TIRANE – Kryendeshja e javës së 15-të, Partizani-Tirana, është vendosur të luhet ditën e hënë, më 8 dhjetor. Ka pasur shumë aludime për zhvendosjen e këtij takimi për në fillimjavë. Sipas shefit të garave në FSHF, Besnik Çela, nuk ka ndonjë motiv, por federata e ka planifikuar këtë sfidë për të hënën e 8 dhjetorit, në orën 18:00, në stadiumin “Qemal Stafa”.

Mbetet për t’u parë se si do të shkojë mbarëvajtja e këtij derbi, pasi tifozët e Tiranës e kanë të ndaluar që të hyjnë në stadium, por askush nuk mund t’i pengojë ata që të blejnë një biletë derbi si qytetarë të lirë. Ky derbi i fazës së dytë pritet të ngjallë interes edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, pasi është përfolur se ky takim do të ketë pasqyrim edhe në mediat italiane.

Pritet që në këtë takim të jetë i pranishëm edhe një figurë e gazetarisë italiane, Xhanluka Di Marcio. Ka zëra se derbi Partizani-Tirana mund të transmetohet edhe nga rrjeti televiziv “Sky” në Itali, gjë e cila ende nuk është konfirmuar.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: