Derbi i kryeqytetit Tirana-Partizani, është një histori pasioni, dashurie dhe urrejtjeje, që e ka zanafillën me themelimin e skuadrës së Partizanit në vitin 1946. Kjo e kësaj të Diele do të jetë sfida numër 146 mes bardhebluve dhe të kuqëve, me bilancin që anon dukshëm nga ana e Partizanit në 145 takimet e mëparshme.

Nga përballja e parë historike e fituar me rezultatin e thellë 8-0 në 30 Mars të vitit 1947 nga Partizani, e deri tek suksesi 7-3 i Tiranës në vitin 1985, një sfidë që do të mbahet gjithmonë mend nga tifozeritë e të dyja skuadrave, për lojën e bukur që u zhvillua.

Të Kuqtë përvec fitores më të thellë në një ndeshje derbi asaj 8-0 në 1947-ën, kryesojnë edhe përsa i përket sukseseve të arritura në këtë sfidë.

Në 145 takime gjithsej Partizani numëron 60 fitore, 45 ndeshje kanë përfunduar në barazim ndërsa 40 të tjera kanë shkuar në favor të Tiranës. Edhe goleavarazhi është në favor të Kuqëve të cilët kanë realizuar në total 212 gola kundrejt 162 të bardhebluve.

Barazimi 2-2 është rezultati që është përsëritur më shumë herë në këtë derbi në plot 29 raste nga 45 barazime gjithsej. Ndeshja e fundit direkte mes Partizanit dhe Tiranës përfundoi në barazim 2-2, shkruan “supersport”. Sukaj i dha fillimisht avantazhin të Kuqëve përpara se Gentian Muca dhe Elis Bakaj të përmbysnin gjithcka për bardheblutë, por festa Tiranës për një fitore që i mungon prej më shumë se 2 vjetësh në derbi u prish në fund nga goli i Realdo Filit.

Një dueli të tillë kaq spektakolar nuk kishte se si t’i mungonin ishët të cilët janë të shumtë në këtë sfidë.

Erando Karabeci, Edvan Bakaj, Gjergji Muzaka dhe Asion Daja kanë luajtur në të kaluarën për Partizanin madje 3 të parët janë prodhime të akademisë së klubit 15-herë kampion. Te të Kuqtë lojtari i vetëm që dikur kanë mbajtur veshur fanellën bardheblu është Renaldo Kalari. Por pavarësisht këtyre të dhënave historia e derbit do të vijojë të shkruhet, me statistikat që janë të destinuara të ndryshojnë.

Tirana krenohet me 24 tituj kampionë përkundrejt 15 të Partizanit, por të kuqtë i thumbojnë kundërshtrarët me avantazhin në përballjet direkte. Secila palë ka për cfarë të krenohet, ndërsa futbolli shqiptar vijon të ofrojë për të apasionuarit e kësaj loje të bukur një nga sfidat me spektakolare dhe më emocionuese të historisë së tij.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb