Dueli i shumëpritur ndërmjet dy strategëve të futbollit, Pep Guardiola dhe Jose Mourinho, fatkeqësisht nuk do të zhvillohet. Për shkak të kushteve të vështira të motit, ndeshja Manchester City-Manchester United, e planifikuar të luhej sot në orën 13:30, zyrtarisht është anuluar. Shiu i dendur ka bërë që bari i fushës së stadiumit “Bird’s Nest” të mos jetë në gjendjen e duhur as për të lejuar lëvizjen e topit. Kjo u konfirmua nga adresa zyrtare e “Djajve të kuq” në “Twitter”: “Për shkak të kushteve atmosferike të kohëve të fundit, organizatorët e turneut dhe klubet pjesëmarrëse vendosën që të anulonin ndeshjen për Kupën Ndërkombëtare të Kampionëve”.

Mourinho kishte deklaruar që në fillim se ishte kundër zhvillimit të ndeshjes në kushte të tilla. “Fusha dhe kushtet për lojtarët e mi janë më të rëndësishme se rezultatet në turin parasezonal. Nuk e kam problem të humbas ndeshje të tilla. Por e kam problem që lojtarët të stërviten në kushte të këqija. Ndaj objektivi i një ndeshje të tillë do të jetë vetëm që të kthej lojtarët në shtëpi pa dëmtime”, ishin fjalët e teknikut portugez para se të merrej vendimi për anulimin e duelit.
(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb