Gazetarja Rudina Xhunga analizoi zhvillimet e fundit të aktualitet në vend, në rubrikën “Opinion”, në News24.

Duke u ndalur te vendimi i Shqipërisë për të dërguar 30 mjekë e infermierë në Itali, që do të ndihmojnë në luftën kundër koronavirusit, Xhunga tha se është habitur kur e ka mësuar këtë lajm.

Sipas saj, italianët do të na e kthejnë këtë akt, pasi këtë vit do të ketë më shumë se kurrë italianë në Shqipëri, të cilët sipas Xhungës, do të vijnë për të na parë nga afër ne shqiptarëve dhe vendin tonë.

“Shqiptarët në thelb janë njerëz të mirë. Unë jam prekur, kur pashë te Corriere që Shqipëria ka cuar mjekë në Itali. Nuk më besohej që kjo ishte e mundur. Nuk është e rëndësishme çfarë themi ne për këtë veprim, por çfarë do të ndodhë pas kësaj. Italianët në verë do të zbarkojnë te ne. Keni për ta parë Vlorën dhe do të habiteni. Këta njerëz që u habitën nga veprimi jonë, do vijnë të na shohin nga afër, në Vlorë, në Durrës. Do ketë kaq shumë italianë këtë vit, sa do të habiteni sa shumë të mira do të kemi nga një akt i tillë.

Ata 30 veta që kanë shkuar në Itali, kanë shkuar në luftë, ku nuk dihet nëse vjen apo jo gjallë. Nuk e di pse e kanë bërë ata mjekë, por ky akt do të na kthehet. 30 mjekë e infermierë asgjë s’do të shtonin, por treguan një zemër të hapur, një shtet të vogël, që thotë se ‘unë jam këtu’. Unë jam pro çdo gjëje që thonë mjekët këto kohë, ju përulem atyre.

Këto kam zbuluar se sa shumë shqiptarë, mjekë, kemi kudo nëpër botë. Ndërsa fakti që 30 mjekë shkuan atje të bën të mendosh që ja kemi dalë ne shqiptarët, që nga ajo koha kur mbushnim anijet, tani shkojmë për t’u trajnuar, për të ndihmuar. Kështu që këto periudhat e këqija na bëjnë të ndajmë edhe kujtime, të mendojmë se ne kemi ecur. Edhe kjo që po ndodh do na bëjë shumë më kreativë.

Ata mjekë që ikën janë 30 shqiptarë të mrekullueshëm. Edhe ata që rrinë në shtëpi janë shqiptarë të mrekullueshëm, sepse i ndihmojnë mos shpërndarjes së koronavirusit”, tha Xhunga.

Cila është frika më e madhe për të nesërmen?
Ka shumë frika. Bota po digjitalizohej me ritme të shpejta dhe ky moment na tregoi se do dixhitalizohemi të gjithë. Shumë profesione që kishin të bënin me qenien fizike do të zëvendësohen. Qeveria mbase mund të japë edhe në prill pagën e luftës, po pastaj cfarë do bëhet me ne? Duhet të riabteitohemi, të rikthehemi te toka. Asgjë nuk ndalon, thjesht transformohet. Kur të dalim nga kjo situatë, do jemi transformuar.

Është momenti më i mirë për të menduar për zgjidhjen e problemeve. Duke qenë vend i vogël mund t’i bëjmë gjërat shumë më mirë. Jeta do vazhdojë dhe në jetën tjetër kur të dalim nga karantina nuk ka pse të mos kemi marrë me vete edhe shumë optimizëm. Unë jam e sigurt që vaksinën se zhvillojmë dot, por mund të zhvillojmë shumë gjëra të tjera, si psh me mësimin online, se si fëmijët u përshtatën kaq shpejt me karantinën, me bërjen e mësimeve kështu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb