“Janë testuar 13 raste të dyshuara te udhëtarë që kanë histori udhëtimi me vendet e prekura nga koronavirusi i ri dhe rezulton deri në këto momente, se Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID-19”.

Zv/Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi në komunikimin e përditshëm me median se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur në dispozicion të spitaleve një fond shtesë për mjetet e mbrojtjes personale.

“Pas mbledhjes së djeshme të Komitetit të Ekspertëve, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur rialokimin e një fondi shtesë prej 1 milion dollarë vetëm për shtimin e stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë siguron se aktualisht, të gjitha strukturat spitalore kanë gjendje sasinë e nevojshme të mjeteve të mbrojtjes personale për këtë fazë në të cilën ndodhemi”, tha Rakacolli.

Më tej, zv.ministrja iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të telefonojnë në numrin 127, nëse kanë shenjat e infeksionit viral, temperaturë, kollë dhe sidomos insuficencë respiratore (vështirësi në frymëmarrje).

“Nga survejanca e përforcuar në pikat kufitare rezulton se janë kontrolluar dhe këshilluar 4800 udhëtarë që kanë një histori udhëtimi me vendet e prekura nga shpërthimi komunitar i koronavirusit, gjatë 24 orëve të fundit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon qytetarët që vijnë nga rajonet e prekura, të vetëkarantinohen për një periudhë prej 14 ditësh.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral, temperaturë, kollë dhe sidomos insuficencë respiratore (vështirësi në frymëmarrje) të telefojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë”, u shpreh zv.ministrja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb