Bashkë me nisjen e vitit të ri shkollor, Policia e Shtetit ka ndërmarr një plan masash me qëllim shmangien e ngjarjeve kriminale apo aksidente rrugore në shkolla e përrreth tyre. Këto masa u bënë të njohura sot nga Drejtor i Drejtorisë së Rendit Publik, në Departamentin për Sigurinë Publike, Albert Dervishaj, i cili tha se janë urdhëruar të gjithë drejtuesit e strukturave vendore të Policisë në Drejtori, Komisariate, Stacione dhe Posta Policie, të studiojnë e vlerësojnë situatën kriminale dhe atë të rendit publik.

“Në këto plane janë përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrat që do kryejnë punonjësit e policisë me shërbim pranë shkollave, duke shtuar prezencën policore pranë ambienteve të tyre, me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente apo pranë tyre.

Komisariatet dhe Stacionet e Policisë sipas Zonave Policore, për shkollat që kanë në juridiksion, në orët më të ngarkuara të lëvizjes së nxënësve dhe të personelit do të sigurojnë prezencë policore me Patrullën e Përgjithshme, ndihmës specialistët e policimit në komunitet, ndihmës specialistët e policisë kriminale, si dhe shërbimet e policisë rrugore, në afërsi të institucioneve arsimore, sidomos në orarin e fillimit të mësimit, gjatë pushimit të madh apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla dhe deri në përfundim të saj.” tha Dervishaj ndërsa theksoi se nga punonjësit e policisë është vendosur bashkëpunimi me institucionin e Prefektit, drejtuesit e institucioneve arsimore, ato të qeverisjes vendore etj. duke përcaktuar masa dhe detyra të përbashkëta.

Dervishaj u shpreh se plani i masave i ndërmarrë nga policia e shtetit konsiston në:

Kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave.

Vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve.

Mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë kanë qenë pika të grumbullimit të personave me precedentë kriminal, përdorues të pijeve alkoolike e narkotike dhe burim rreziku për prishje të rendit publik apo veprime të tjera të dhunshme ndaj personelit mësimdhënës e nxënësve të shkollave.

Dhënien dhe shkëmbimin e informacioneve me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes nga personeli roje i shkollës, në prani të mësuesve, oficerit të sigurisë në shkollat e mesme, por nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.

Mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me rojet e shkollave dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve, në ato institucione arsimore që e kanë një shërbim të tillë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb