Dritan Dervishi, ishdrejtori i klubit të Kukësit, e ka cilësuar të drejtë vendimin e FIFA-s për ta lejuar Izair Eminin që të regjistrohet te Shkëndija e Tetovës. Sipas tij, Gjici nuk mund të tallet me djersën e futbollistëve dhe se Kukësi duhet të bëjë kujdes këtë vit. Jo vetëm sepse Dervishi nuk e sheh një skuadër pretendente, por edhe sepse fushën e stadiumit e ka në gjendje skandaloze.

Si e gjykoni vendimin e FIFA-s për Eminin?
FIFA vendosi drejtësi dhe i dha një sinjal klubit që me djersën e futbollistëve nuk manipulohet. Përveç Eminit, edhe Alla, Lena, Koliçi ishin të lirë me mbarimin e sezonit futbollistik, por unë ndërhyra te lojtarët për t’u kthyer te Kukësi me një kontratë të dyfishuar… Po të kishte të drejtë Kukësi, nuk ua rriste asnjë lek rrogën…

A mendoni se mund ta kishte zgjidhur FSHF-ja këtë lëmsh?
Jo, për këtë rast FSHF është treguar korrekte, sepse nuk i ka regjistruar kontratat e Kukësit që i çoi kur ata donin… Mendoj që federata ka ndryshuar për mirë këto dy vite, por duhet më shumë kontroll në këtë drejtim.

Si janë sot raportet tuaja me Gjicin?
Raportet e mia me Gjicin janë normale. Këtë verë e ndihmova në zgjidhjen e çështjeve “Alla” dhe “Koliçi”, por mbas kësaj pune që bëra nuk më falënderoi. Qoftë edhe nëpërmjet një telefonate…Nuk më lidh asgjë me atë tani. Kukësi ka ndërtuar një skuadër të mirë, por nuk e shoh pretendente këtë vit për të mbrojtur titullin… Qoftë edhe për fushën që ka.

Pse, çfarë ka fusha?
Aty presidenti duhet të investonte, por Bashkia e Kukësit e ka penguar shumë. Besoj se këtë vit do ta kenë të vështirë të marrin miratimin nga FSHF, pasi fusha me bar artificial nuk përmbush asnjë kriter dhe rrezikon shumë shëndetin e lojtarëve.
Këtu FSHF duhet të ndërhyjë me vendosmëri pasi ata investojnë për kampionatin dhe s’mund të mbyllin sytë për atë fushë. Një zgjidhje do të ishte “Elbasan Arena” derisa të bëhej një fushë e rregullt në Kukës.

Si ju duket Skënderbeu?
Një ecuri e shkëlqyer dhe aty ka meritë presidenti Takaj që ka ndërtuar një klub modern. Aty njerëzit punojnë në qetësi.

Kush mendoni se do të jetë surpriza e këtij sezoni?
Teuta do të jetë surpriza e këtij kampionati. Presidenti me të drejtë pretendon pasi ka investuar si asnjëherë tjetër, pastaj Magani duhet të shfaqë gjithë potencialin e tij për të kapur tri vendet e para.

Çfarë prisni nga Partizani këtë vit?
Partizani e ka për detyrë para tifozëve të shumtë të luajë gjithmonë për të fituar titullin. Iuliano është profesionist dhe i përgatitur, por disa nga lojtarët e afruar nuk janë për këtë klub. Fitorja e parë e Partizanit është dalja në pension e disa ish-drejtuesve…

Çfarë prisni nga Kombëtarja?
Uroj të fitojmë dhe të mbushet plot “Elbasan Arena” për t’i dhënë mbështetje morale edhe “Ballist” Morinës. Uroj që edhe “Panorama Sport” të ketë një sezon të mbarë, pasi dhe ju “luani” në kampionat dhe gjithmonë vazhdoni me këtë pastërti e profesionalizëm! Kështu futbollit tonë i kthehet besueshmëria dhe tifozët./p.sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: