Emisioni “Jeta pa filtër” me autore psikologen Ervisa Lula, është ndalur këtë herë tek zhurma e shkaktuar nga deklarata e Papa Françeskut në lidhje me martesat brenda gjinisë. Një dëshmi e fortë është ajo e një 35-vjeçari të martuar i cili thotë se do të ndahet prej partneres e do të martohet me burrin që dashuron. Në një përballje mendimesh e qasjesh emisioni ka sjellë figura të njohura, përfaqësues të komunitetit LGBT, përfaqësues të sekteve fetare dhe shoqërisë civile. Arbër Kodra aktivist i LGBT dhe

Drejtor Ekzekutiv i OMSA ka sjellë në një rrëfim të sinqertë vështirësitë e të pranuarit dhe të jetuarit si një person i këtij komuniteti në vendin tonë. Ja si shprehet ai: “Kam shkuar dhe me femra, atëherë kur e kam bërë ka qënë diçka shumë e bukur sepse më shijonte, derisa kuptova anën tjetër se ku isha. Në Shqipëri njerëzit duan të shohin se çfarë bën tjetri në krevat dhe kjo nuk është aspak normale. Duhet pranuar e vërteta se nuk vazhdohet duke gënjyer veten e të tjerët gjithë jetën”. Për sa i përket martesës mes 2 burrave apo mes 2 grave ai thotë se nuk ndryshon asgjë nga martesat e tjera, dashuria është ajo që i bashkon.

Edhe për Xheni Karajn vetëpranimi ka qënë sfida më e vështirë në një kohë kur të gjithë njerëzit me prirje seksuale brenda gjinisë etiketoheshin me termin fyes “pederast”. Martesa me partneren do i krijonte shumë lehtësira. Sipas saj nuk ka rëndësi si prodhohet fëmija, por si ndërtohet struktura familjare. Nga ana tjetër pastori Ylli Doçi përmes citimit edhe të Biblës thotë se: “Marrëdhënia homoseksuale është e papranueshme dhe e panatyrshme. Dy femra e dy meshkuj nuk sjellin në jetë asgjë, është laboratori ai që bashkon materialin gjenetik. Njerëzit nuk duhet të ndërhyjnë në këtë proces, kjo është e rrezikshme”.

Të rrezikshme për shoqërinë e konsideron marrëdhënien homoseksuale edhe ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra. Në emision ai shprehet se bota ka njohur raste të tilla shumë vite më parë të cilat kanë çuar në katastrofa të vërteta. Nga ana tjetër një zë më liberal është ai i Sevim Arbanës, aktivistes së njohur të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Arbana shprehet se këta njerëz duhen pranuar ashtu siç janë madje ajo ka rrëfyer edhe histori të vërteta e tronditëse si ajo e disa viteve më parë ku një vajzë rrezikoi të vritej nga vëllezërit e saj për shkak se dashuronte një vajzë tjetër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: