Valentini, me gjithё gruan italiane, Maria Gorizia, që thirrej Gori, në fundin e vitit 1944, sapo kishin mbrritё nga Italia nё Shkodёr, nё tetor, ku kishin zanë njё dhomё me qera. Kishin mbet aty, sepse familja e tyre kishte dalё nё mal, e fshehun nё Skuraj, pasi komunistёt u kishin djeg shtёpinё e Laçit t’Kurbinit e, grabit pasunitё. Edhe i ati i Valentinit, gjenerali Prenk Pervizi, ishte largue nga Tirana dhe ishte bashkue me misionin anglez nё mal. Çifti, kishte mbërritё nё Shkodёr nё kohёn ma tё keqe, dhe po ia ndienin pasojat.
Nuk kishte kalue një muaj nga i ashtuquajturi çlirim i vendit. Shkodra ishte nё shtetrrethim tё shpallur nga Mehmet Shehu. Bëhej kontrolli shpi pёr shpi. Kur fëmijët e banesёs ku banonte çifti, e panë duke ardhë skuadrën e kontrollit, erdhën dhe i lajmeruan Valentinin e Gorin, të cilët hipën në dhomёn ku banonin. Duke qene se në ato ditë me borë, u ishin qullë rrobat, kishin vendosë një litar te fiksuem nga një faqe në tjetrën të mureve të dhomës, ku kishin shtri teshat e njomura, ndër to edhe pardesyja e Gorit.

Valentini kishte një revolver “Browning”. Nuk dinte se ku ta fshihte. Po të ia gjenin, e merrte dreqi, aq ma tepër kur të merrnin vesh se kush ishte. Partizanët kishin filluar kontrollin poshtë, por ngjiteshin në katin sipёrm. Ai, e dinte mirë se kush ishte Valentini. Zemërligësia kishte fillue me bë punën e saj. E kështu ato filluan të hipin shkallët. Valentini ishte në kulm të tensionit, si me ia bë?! Po i rridhnin djersë të ftohta, sepse nuk po dinte si me i gjet zgjidhje asaj pune.

Hapat po afroheshin. Trokitje në derë dhe ja doreza po ulej. Në atë çast, Gorit i’u dha me i’a marrë revolverin nga dora dhe me e shti në xhepin e pardesysë si lagun. Partizanët hynë dhe filluan kontrollin. Nuk banë pyetje. Megjithëse çifti kishin pak tesha, kontrolli u bë i imtë.

Një vajzë partizane, u ngarkue me kontrollue krevatin e valixhet. Duke levizun, preku pardesynë dhe e pa se ishte i lagun e kaloi tutje. Si mori fund kontrolli, ata dolën dhe filluan të zbresin shkallët. Këshilltari, seç u tha dhe u kthyen. Mbi derë ishte shkrue “Valentin Pervizi”. Si duket këshilltari zemërlig, u kishte tregue se i kujt bir ishte Valentini. Një nga partizanët, i kërkoj dokumentin e letër-njoftimit dhe zbriti poshtë me gjithë të tjerët.

Pas pak, një çun u ngjit nalt e i tha që, ato partizanët e kërkonin poshtë. Valentini ishte i vetëdijshëm se komunistët nuk do ta linin aq gjatë të lirë, dhe si duket, kishte ardhë çasti. I gjeti partizanët t’ue pi kafe, pasi kishin gëlltit nga nji gotë raki. I njëjti partizan e pyeti se; ç’e kishte Prenk Pervizin, pastaj i tha se duhet të shkonte me ta, deri te Komanda, për disa sqarime, prej ku me siguri do të kthehej përsëri në shtëpi.Duke e përmbajt emocionin, shkoi te Gori që po qante, duke u mundue me e qetësue. Si do i vente halli Gorit, asaj gruaje të huaj, e mbetur vetëm pa njeri pranë?! Të gjithë pjesëtarët e familjes ishin nën persekutimin e regjimit komunist, të dëbuem e te përdjekur, me shtëpi të djegura e pasuri të grabitura, nga hordhitë komuniste partizane. Ajo nuk njihte askënd, as njihte gjuhën, as kishte me se me jetue. Si do t’ia dilte?

Me këto mendime, Valentini u përqafue me Gorin dhe u nis pas partizanëve. Kur arritën të dera e oborrit, ai partizani i parë i shprehu keqardhjen dhe i vuni prangat. Të gjithë kojshitë që po rrinin jashtë bashkë me Gorin, ja nisën me qa. Ishin çaste tronditëse edhe për ata, sepse rasti i tij, ishte i veçantë.

Ma në fund arritën te komanda. Kryetari i Degës së Brendshme, e priste në zyrën e tij, pas një skrivanie. Sapo e pa, i hodhi një vështrim të vëngërt e djallëzor dhe i foli me ironi:

– Malli për atdheun tënd, të ka shty me ardhë këndej apo jo? –

– Sigurisht! U përgjigj Valentini. Dhe ai përsëri:

– Por si duket, atdheu yt nuk të ka pritur mirë? Ti duhet të ishe bashkue me partizanët e Italisë, për me dhanë edhe ti kontributin e duhur, për kauzën e përbashkët. Si thua? – Nuk kisha ndërmend të lajë lëkurën time, në një tokë të huaj, vazhdoi Valentini. – Ajo nuk asht nji arsye e pranueshme, përfundoi kryetari dhe u dha urdhër partizaneve me e çue në burgun e “Gestapos”. Ky burg ishte një banesë që gjermanët e kishin kthye në burg, duke e pajisur me biruca të ngushta prej betoni.

– Pa shiko, pa shiko, i tha drejtori i burgut, sa mori vesh se kush ishte dhe vazhdoi:

– E kam njohun babën tand, kur kryeja shërbimin ushtarak në garnizonin e Korçës, ku yt atё, ishte komandant. Ai ishte një njeri që gëzonte stimën e të gjithëve, përveç tonës, sepse nuk e pranoi ofertën që i bani udhëheqja jonë, për me i dhanë komandën e përgjithshme të forcave të armatosura partizane.

Ky drejtor ishte një fytyrë e keqe, e kur bisedoje me të, nuk e shikonte kurrë në sy, atë me të cilin fliste. Të tillë tipa, ishin krejtësisht të pabesë./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: