NGA BASIR ÇOLLAKU

“Bledar, djem si ti i bëjnë nder policisë. Sot je shembull për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit”. Këto fjalë i ka shkruar Saimir Tahiri në tetor 2013, pasi oficer Bledar Naçi shpëtonte një vajzë 9-vjeçare nga rrëmbimi. Ky polic u quajt hero nga ish-ministri i Brendshëm.

Një vit më pas, pasi Bledar Naçi bashkë me efektivë të tjerë si Antonio Nazeraj dhe Dritan Zagani guxuan dhe ndaluan “Audi”-n famëkeq të vëllezërve Habilaj, nisi tatëpjeta për të gjithë.

Në një intervistë të gjatë për “Gazeta Shqiptare”, ish-efektivi i Antidrogës së Fierit, Bledar Naçi tregon incidentin që pati në fillim të 2014-ës, kur u shoqëruan në komisariat dy kushërinjtë e ish-ministrit të Brendshëm. Ai rrëfen se si “Audi” AA003GB kundërshtoi kontrollin dhe i iku postbllokut të policisë. Më tej, ata u shoqëruan, megjithëse kërcënuan efektivët e policisë.

“Do ta shikoni ça do ju bëjmë, është makina e ministrit”, rrëfen Naçi përplasjen me Habilajt. Pas këtij incidenti, njësoj si shokët e tij, Naçi u akuzua se i kishte marrë 10 mijë lekë të reja një personi, që sot rezulton i dënuar për disa vepra penale.

“Gazeta Shqiptare” ju sjell sot pjesën e parë të intervistës me ish-efektivin e policisë, Bledar Naçi (sot ndodhet në një vend të BE), i cili është dekoruar dhe përgëzuar nga kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri Saimir Tahiri.

Bledar Naçi një oficer policie i dekoruar nga kryeministri dhe ministri i Brendshëm, për çfarë jeni dekoruar?
Jam dekoruar nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kryeministri gjithashtu, në datë 12 tetor 2013, për rezultate të larta në punë.

Jeni ndër të paktët e dekoruar?
Mund të them se jam i pari i dekoruar nga ish- ministri, kam qenë i ftuar dhe falënderuar personalisht nga ministri dhe kryeministri i vendit.

Në zyrën e tij?
Jam ftuar në zyrën e kryeministrit në datën 12 tetor dhe gjatë prezantimit të 12 drejtorëve të rinj të qarqeve dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë në atë kohë, Artan Didi.

Por pas disa muajsh, nga i dekoruar për sakrificë në punë, ju u deklaruat nga kryeministri dhe ministri në trafikant, kriminel, ordiner, si u shndërruat kaq shpejt?
Nuk më ka pëlqyer të prononcohem shumë nëpër media, por duke marrë shkas nga emërtimi që më ka bërë zoti kryeministër me fjalët ordiner, kriminel trafikant, dua t’i them zotit kryeministër se unë quhem Bledar Naçi dhe jam djali i dy prindërve punëtorë, që kanë qenë anëtarë dhe kontribuues në Partinë Socialiste nga vitit 1991 dhe kanë qenë ndër themeluesit e saj në Frakull të Fierit dhe dua që të mendojë se për këtë intervistë kam qenë i shtyrë, shitur apo paguar nga të tjerë persona. Dua t’i kujtoj në radhë të parë se kam qenë një punonjës i thjeshtë në Policinë e Shtetit dhe kam punuar nga vitit 1999 deri më 2 maj 2014, datë në të cilën jam arrestuar. Por, kjo nuk i jep të drejtë atij të emërtojë me fjalët, ordiner, hajdut, bandit.

Sepse ju nuk jeni dënuar nga gjykata për këto vepra që ju akuzon kryeministri?
Absolutisht jo. Për kryeministrin është më e lehtë të besojë një trafikant të qenieve njerëzore dhe fëmijësh, që ka qenë dhe i skeduar nga ana jonë në fushën e narkotikëve, se sa të besojë tre ish-punonjës policie, që kanë punuar shumë vite në Policinë e Shtetit.

Nga dekorata, te këto emërtesa…
Dua t’i kujtoj edhe një herë z. zryeministër se pasuria e vetme ime janë dy dynym tokë sipas ligjit 7501 dhe kam jetuar në shtëpi me qira e jo në ndonjë vilë, si mund të mendojë ai. Këto mund të verifikohen.

Dhe..
Dua të shtoj akoma se gjatë punës kam kaluar sasi të ndryshme e të shumta të drogës së kapur, drogë të llojeve të ndryshme dhe më janë ofruar të bashkëpunoj me trafikantëtë, oferta nga trafikantë të ndryshëm, por nuk jam shitur dhe këto sasi droge janë sekuestruar e personat janë arrestuar.


Intervistën e plotë e lexoni në “Gsh.al”:

http://www.gsh.al/2017/11/07/e-plote-oficeri-dekoruar-bledar-naci-kurthi-pas-perplasjes-habilajt-na-shane-se-ndaluam-audin-e-tahirit-ja-kush-dha-urdher-te-lirohen/


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb