VELIPOJË

Detaje rrëqethëse vijnë nga Velipoja, aty ku katër pjesëtarë të një familjeje janë plagosur rëndë nga shpërthimi i bombolës së gazit në hotelin e tyre.

Mjekja e ambulancës, që ka mbërritur në vendngjarje, ka treguar për gazetarin e “BalkanWeb” dhe “News24”, Senad Nikshiqi, se gjendja e të lënduarve është shumë e rëndë, ndërsa ka shtuar se nëna dhe tre fëmijët e saj kanë pësuar djegie në 85-90% të trupit.

“Gjendja e të lënduarve është shumë, shumë e rëndë. Djegia 85-90%. Të gjithë janë një familje, në moshën prej 11 deri në 30 vjeçe, një fëmijë dhe tri gra. Janë nga Lezha dhe kanë ardhur te hoteli që kanë në Velipojë. Janë djegur nga bombola e gazit. Mbërritëm menjëherë policia, zjarrfikësi dhe ambulanca dhe i transportuam. Dy janë në Spitalin e Shkodrës, për dy të miturit pritet helikopteri, se janë në gjendje më të rëndë”, është shprehur mjekja.

Ndërkohë, një mik i familjes Gjoka ka treguar për gazetarin e “BalkanWeb” dhe “News24”, Senad Nikshiqi, ngjarjen e rëndë, duke thënë se pasi kishte dëgjuar shpërthimin, kishte shkuar menjëherë te hoteli, ku kishte parë se katër familjarët e plagosur kishin hyrë në pishinë.

“Kur erdha ketu i gjeta te gjithe ne pishine. Gjendja eshte shume e rende dhe kane djegie komplet. Ndoshta uji i pishines i ka bere mire por dikush thote se edhe jo sepse ia ka hequr nje pjese te lekures se trupit dhe them ishalla i ka ndihmuar uji”, është shprehur Zef Zefi, raporton “BalkanWeb”.

“BalkanWeb” sjell edhe pamje nga hoteli, ku shihet se ka pasur rrjedhje gazi nga shtatë bombola, të cilat kanë shkaktuar dhe shpërthimin e fuqishëm, që është ndjerë në pjesën më të madhe të plazhit, si dhe ka shkatërruar totalisht biznesin, duke lënë të plagosur rëndë edhe katër familjarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb