KURBIN- Aldi Lleshi, 20-vjeçari i cili të enjten grabiti një makinë dhe plagosi me plumb në kokë efektivin e policisë Nikolin Gjergji është shprehur i penduar gjatë marrjes në pyetje nga blutë.

Në dëshminë e sjellë sot nga Gazeta Shqiptare, mësohet se i riu nga Kurbini ka deklaruar se, “nuk doja të vrisja policin, por të grabisja lekët dhe makinën. Qëllova, pasi u tremba dhe doja të largohesha”. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:20 të së enjtes në autostradën Laç-Lezhë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi”.

Burime nga policia pohuan se i riu nën kërcënimin e armës grabiti në qendër të qytetit të Laçit makinën peshkatarit M.K.. Më pas ai është drejtuar drejt autostradës së Milotit, por blutë kishin ngritur postbllok. Pikërisht në këtë moment, ai ka qëlluar në drejtim të makinës së policisë dhe një plumb rikoshet ka goditur Nikolin Gjergjin.

Gjatë dëshmisë së tij, Aldi Lleshi ka pohuar se qëlloi në drejtim të makinave, me qëllim që t’i hapnin rrugën. Më pas ai ka braktisur automjetin dhe është larguar me këmbë drejt një fushe pranë autostradës, duke mbajtur në dorë një pistoletë.

20-vjeçari u arrestua një orë më pas nga RENEA, ndërkohë që u plagos nga një snajper i forcave speciale. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për t’i hequr plumbin nga këmba, ndërsa ruhet nga forca të shumta sigurie.

Edhe efektivi Nikolin Gjergji është jashtë rrezikut për jetën, pasi plumbi ka qenë rikoshet dhe nuk i ka shkaktuar dëmtime në kokë. Burimet e mësipërme sqaruan se 20-vjeçari njihet si një person problematik në zonën e Laçit.

Ai ishte arrestuar nga policia dy muaj më parë për plagosje të lehtë dhe kanosje, ndërsa ishte lënë i lirë nga gjykata. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, duke bërë publike këto detaje kritikoi drejtësinë se nuk e ka vlerësuar siç duhet veprën e tij penale.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb